Berisha dhe Meta bashkohen në akuza kundër kreut të SPAK: Po amniston Ramën dhe Veliajn
Në sikron me njëri-tjetrin, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë bashkë kundër Altin Dumanit. Një ditë pas raportimit disa orësh të kreut të SPAK në Kuvend, Berisha dhe Meta e lexojnë qëndrimin e mbajtur prej tij para deputetëve, si një përpjekje për të amnistuar zyrtarët e korruptuar të qeverisë Rama. Lideri demokrat e konsideron Dumanin si armik të opozitarëve.
“Amnistimi nga Dumani si armik i egër opozitës dhe votës së lirë të shqiptarëve i krimit elektoral të qeveritarëve. Kjo amnisti është një krim monstruoz kundër votës së lirë dhe opozitës. Për çdo njeri që ndjen veten opozitar, Altin Dumani, është armiku i votës tyre, lirisë së tyre”, tha Berisha.
Një qëndrim të ashpër mbajti edhe Ilir Meta. Në një konferencë për mediat, Presidenti i Partisë së Lirisë për më shumë se 20 minuta analizoi deklaratat e kreut të SPAK, të cilin gjithashtu e akuzon se po amniston Ramën dhe Veliajn.
“Deklarata skandaloze dhe kriminale e drejtuesit politik të SPAK, që korrupsionin skizofrenik qeveritar të Edi Ramës me inceneratorin e Tiranës, e shpalli si krim intelektual dhe të vështirë për t’u zbardhur, nuk është gjë tjetër veç se shpallja botërisht e amnistisë për të hetuar me themel vjedhjet e Ramës dhe Veliajt që prej vitesh duhet të duhet të ishin arrestuar”, u shpreh Meta.
Lidhur me kritikat se kreu i SPAK u intimidua nga deputetëve opozitës në Kuvend, Meta pati një përgjigje ironike. “Një buzëqeshje për të gjithë ata që ishin shqetësuar për intimidimin që i ishte bërë Altin Dumani në parlament”.