Berisha e akuzoi për vrasjen e Ravik Gurrës, Balla e padit në GJKKO
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka paditur kreun e PD, Sali Berisha dhe zëdhënësen, demokrate Floriana Garo për shpifje.
Në një prononcim për gazetarët, këtë të premte Balla është shprehur i bindur se do e fitojë gjyqin ndaj kryedemokratit Sali Berisha, i cili ka hedhur akuza në parlament duke përmendur emrin e Ballës në vrasjen e avokatit Ravik Gurra.
“Shpifja është një vepër penale që duhet ndëshkuar. Edhe me Bashën kam arritur ta fitoj gjyqin për shpifje do fitoj dhe me Berishën. Thirrja ime nga GJKKO është që Berisha duhet të mësohet të vijë për çështjet që e kemi thirrur ne por edhe për çështjen që e kanë thirrur shqiptarët, ndër to 21 janari, Gërdeci, privatizimi i OSSH, privatizimi i kompleksit Partizani. Berisha duhet të bëhet gati që të jetë klient i përhershëm. Kam bërë padi për disa akuza të paqena në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.
Kujtojmë se Berisha ka deklaruar në parlament se Balla ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gura.
“Ke kryer porositje vrasjesh dhe ke fshirë regjistrimet. Bashkë me ty në parlament është hija e të ndjerit Ravik Gurra që të ka kapur në lidhje me bandat dhe e eliminove. Kjo është tronditëse. S’ka vend në botë që nuk e dënon këtë”, është shprehur Berisha.