Berisha e nis vitin me librin e ish-Presidentit Bush “41 – Një portret i babait tim”
Ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha, e ka nisur vitin e ri me ish-Presidentët amerikanë Bush, të riun dhe të vjetrin; më saktë, duke lexuar librin Xhorxh Bushit të Ri shkruar për të atin.
Në një shënim në Fb, Berisha rrëfen arsyet pse mori në duar pikërisht librin me titull “41 – Një portret i babait tim”. “Së pari, se ky libër kushtuar Presidentit të 41-të të SHBA-së, George H Bush, është unik, mbasi ka për autor ish-Presidentin e 43-të të SHBA-së, George W Bush. Lexuesi nuk gjen kurrë një libër për një ish-President, të shkruajtur nga i biri i tij, ish-President!
Së dyti dhe kryesorja,- ka nënvizuar Berisha, – autori i këtij libri është njeriu, politikani, Burri i shtetit më i sinqertë, më direkt dhe më i hapur se çdo politikan apo burrë shteti tjetër që kam takuar në tërë jetën time politike dhe këto virtyte të çmuara, dëshmi e një integriteti të lartë të karakterit njerëzor të autorit, mëshirohen në vërtetësinë e çdo paragrafi të këtij libri.”
Berisha ka theksuar më tej në shënimin e tij se Bush “është një mik vigan i kombit tonë. Miqesia me Presidentin Bush Senior është krenari e veçantë për mua… Pak muaj më parë, Presidenti George H Bush festoj 90 vjetorin me një hedhje me parashutë. Unë i dergova një mesazh ku shkruajta se “kjo hedhje gëzoi miqtë e Tu në mbarë botën, që të panë tek zbrisje nga qielli me parashutë.” U përgjigj se “ishte shumë i kënaqur nga kjo hedhje dhe se besonte se i ishte zgjatur dy vjet jeta,” – përfundon rrëfimin e tij, ish-Kryeministri.