Berisha: Edi Rama i ka orët dhe ditët e numëruara, spastroi Veriun nga administrata
Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë për ABC ka dhënë detaje në lidhje me fushatën elektorale të PD-së. Berisha në fjalën e tij ka theksuar se do të jetë shumë aktiv jo vetëm në distancë por edhe në terren në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Lideri historik i PD-së ka vlerësuar kryetarin aktual të partisë, duke theksuar se krahasuar me 2005, PD-ja tashmë ka potencial më të madh. “Jam shumë i lidhur me fushatën zgjedhore e ndjek në distancë por do e ndjek dhe në terren. Një forcë politike e qendrës së djathtë ruan parimet pavarësisht se cili lider drejton. Në këtë kontekst në epiqendër të programit të saj ka qytetarin. Për javë të tëra kryetari i PD-së u ka paraqitur shqiptarëve një program të lidhur me qytetarin. Nuk ka premtuar aeroporte në 3 D apo 6 D, nuk ka premtuar porte imagjinare, por u tha se do të rrisë rrogën minimale dhe do ta ngrejë atë në rrogën mesatare të rajonit, u deklaroi se do të dyfishojë rrogat një deklaratë e rëndësishme, u deklaroi shqiptarëve që do të hapë dyert e rajonit taksën e sheshtë 9 %. Sot PD-ja ka potenciale njerëzore shumë herë më të mëdha sesa ajo e vitit 2005. Sa i përket listës është e pamohueshme se një ndikim kanë pasur liderët e partive të tjera politike, por në mënyrë absolute ato kanë një ndikim të pamohueshëm në fitoren e opozitës”, ka thënë Berisha.
Listat e opozitës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar krijimin e listave të kandidatëve për deputet të opozitës së bashkuar. Berisha është shprehur se përfshirja në lista e liderëve të partive të tjera është një risi dhe një fitore e sigurtë me 25 prill. Ndër të tjera lideri historik i Partisë Demokratike ka deklaruar se hartimi i listave të kandidatëve është bërë në standartin më të mirë që ka ndodhur ndonjëherë në PD. “Ju keni konstatuar se Basha krahas listave po krijon dhe grupin e koordinatorëve për çdo fushë. Kryetari i PD-së ka deklaruar se kabineti i tij do të përbëhet nga personalitete të shquara që nuk kanë mandat por kanë luajtur një rol esencial në lidhje me fitoren e PD-së në këto zgjedhje dhe gjithashtu të gjithë deputetet do të dorëzojnë statusin. Në të gjithë periudhat listat në mënyrë të ligjshme krijonin debate dhe protesta para selisë. Këto lista janë pritur më mirë se të gjithë listat e tjera të krijuara deri më sot, kjo mendoj unë është meritë e procesit që u ndoq. Pavarësisht vendit në listë secili në qeverinë e ardhshme do të bëjë çdo gjë për të pasur vendin e merituar. 26 prill ato që janë dhe nuk janë në listë do të festojnë fitoren bashkërisht me një fitore të jashtëzakonshme. Edi Rama i ka orët dhe ditët e numëruara kjo është ajo që do të ndodhë”, ka thënë ish-kryeministri.
Spastrimet e Ramës
Po ashtu, Sali Berisha tha se fitorja e opozitës në 25 prill është e sigurtë, ndërsa theksoi se Edi Rama ka dështuar në çdo rrugëtim të tillë dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët. Ndër të tjera, ai tha se është e papranueshme se si Rama është shndërruar në armikun e kombit, sipas tij ai donte të copëtonte Kosovën. “Nuk ndodh që me 25 prill Edi Ramës shqiptarët të mos i kenë dhënë duart një herë e përgjithmonë, kjo ndihet në çdo skaj dhe në çdo takim. E ndjen Rama që i ka rënë një vrug që ndonjëherë të krijon përshtypjen që mezi po merr frymë. Sot Edi Rama është i vetëdijshëm 100% se pas dështimeve 8 vjeçare të mirëfillta për të mbajtur premtimet e tij. Sot Rama për të gjithë patriotet është një armik, njeriu që donte të copëtonte Kosovën, që urren veriun e Shqipërisë që ka copëtuar dhe spastruar të gjithë zyrtarët nga veriu nga të gjithë institucionet. Që nga koha e Lidhjes së Prizrenit nuk ka ndodhur një regjim i tillë që të përzësh çdo person nga veriu në krye të institucioneve. Edi Rama e di se një gjë e tillë nuk e prano askush, shqiptarët patriotë nuk e pranojnë Ramën. Është i dënuar me dënim kapital politik, si i mbytur po kapet në tentakulat e krimit. Por a mund të shpëtojë njeriu ashtu?”, tha Berisha.
Vendimi i KQZ-së
Ish kryeministri Sali Berisha nga studio e ABC këtë të enjte ka komentuar vendimin e KQZ-së të marrë një ditë më parë në lidhje me listat e partive politike dhe Tom Doshin. Berisha ka bërë me dije se në vendimin e tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë asgjë përveçse ka zbatuar porositë e Edi Ramës. Sipas tij listat e mazhorancës janë të mbushura me banditë dhe kriminele, duke nisur nga vetë kryesuesi Edi Rama. “E kam vlerësuar shumë kërkesën e ambasadës të SHBA-së dhe Departamentint të Shtetit, të Komisionin Evropian dhe përfaqësisë së tij delegacionit në Tiranë për listat e pastra dhe pastrimin e tyre nga dekriminalizimi. Për një vend të NATO-s dhe që synon futjen në BE është normale. Komisioni i Zgjedhjeve zbatori urdhrin e Edi Ramës, mesazhin që ai dha nga Elbasani, mesazhin që ka lista e Ramës e kryesuar nga Rrahman Rraja, nga Ndrazhi nga Gjiknuri e me radhë nga banda kriminale e krimit elektoral e dosjeve nuk ka bërë gjë tjetër vetëm ka plotësuar porositë e Ramës dhe isha i sigurtë që kështu do të ndodhte. Tom Doshi është një prej tyre dhe nuk ka diskutim që është mëkatar, por si Toma nuk është më pak Taulant Balla që ka 57 rrugë me një nga narkotrafikantët më të njohur Edmond Begon. A mund të ketë dy burra që të kenë shkuar jashtë 57 herë pa qenë partnerë? Çfarë duhej balla në këto udhëtime, duhej për pasaportën diplomatike për të fshehur thesin e pluhurit. Por a mos është më pak Rama i lidhur me krimin, kur unë e quaj kreu i “meduzës”, nuk e quaj pa fakte, ai ka dalë i lidhur me bandën e Xibrakut, vëllai ka përcjellë jashtë Genti Xhixhën. Rama mbuloi Shqipërinë me kanabis nëse dua të bëj një luftë rrënjësore për dekriminalizimin duhet ta kapim nga kreu i meduzës, vetë Edi Rama”, ka thënë Berisha.
Premtimet e Ramës
Sali Berisha ironizoi dje edhe Edi Ramën në lidhje me programin e tij dhe premtimet e bëra për fushatën e tij politike të 25 prillit 2021. Berisha sipas tij nuk bën asgjë tjetër përveçse fushatës së mashtrimeve dhe të premtimeve të pa mbajtura. Ish-kreu i PD-së ironizoi duke theksuar se po i jep dy nga premtimet e mbushura nga qeverisja e demokratëve për të mos i dhënë zero. “Edi Rama vijon me fushatën e mashtrimeve ndaj qytetarëve por unë ju garantoj se të gjithë pollët pa përjashtim në një pyetje marrin të njëjtën përgjigje nga shqiptarët se ai mashtron dhe nuk mban premtime. Ka deklaruar se ujë 24 orë që në 2013. Kam premtuar heqjen e gjeneratorëve dhe mos ndërprerjen e energjisë në fund të vitit 2007 dhe në fund s’ka pas asgjë. Kam premtuar dhe janë ndërtuar mbi 700 ujësjellës. Por nuk kam premtuar kurrë ujë 24 orë në të gjithë Shqipërinë dhe pse e kam arritur. Premtimet më të vështira kanë qenë ajo e rritjes së rrogave dhe pse i kam mbajtur dhe tejkaluar. I dhashë nga xhepi për të mos i dhënë zero. Ja dhashë nga xhepi im dy”, ka thënë Berisha në fjalën e tij.