Berisha flet nga dritarja: 2023 ishte viti i përpjekjeve antiligjore dhe ban*iteske të Ramës

Aksionin e opozitës dhe prezencën e simpatizantëve demokratë në protestën e radhës, të zhvilluar si çdo pasdite në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku ndodhet shtëpia e Sali Berishës e ku ai po qëndron duke zbatuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, kryeministri e ka cilësuar si një betejë që synon çlirimin e Shqipërisë nga diktatura e bandave, krimit dhe drogës. Berisha foli si çdo natë nga ballkoni i banesës, duke bërë një analizë të gjatë të të gjitha përpjekjeve të pushtetit, siç i cilësoi ai për të asgjësuar opozitën në vend në vitin 2023.

“Çfarë ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët viti 2023? Viti 2023 për çdo shqiptar ishte viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese, banditeske të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Ishte viti në të cilin Edi Rama me lakejtë e tij në gjykata, pasi i mori logon dhe vulën PD-së, vazhdoi skenarin e tij për të lenë vendin pa opozitë. Në përpjekjen për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, Edi Rama aktivizoi me 14 maj, vrasës serial, liroi nga burgjet elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. I solli ata nga jashtë, vendosi qytetet në terrorin e tyre. Përjashtoi nga listat e votimit në qendrat e tyre mbi 1.3 milionë shqiptarë. Hoqi nga fletëvotimi emrin e PD-së, logon e saj dhe kryetarin e saj, Sali Berisha. Përjashtoi të drejtën e opozitës për komisionerë në gjysmën e qendrave të votimit. Përdori dhjetëra e qindra milionë fonde publike për të blerë fonde dhe influenca’‘,-tha Berisha.

Po ashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama se mobilizoi ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal kundër opozitës dhe Berishës personalisht. “Në revanshin e tij kundër demokracisë, Edi Rama vazhdoi i pandalshëm, i mohoi opozitës deputetëve të saj, të drejtat themelore kushtetuese. E nxori veten mbi kushtetutën, mbi ligjin. Ai nuk pranoi të hetohet për aktet e shëmtuara kriminale, ai nuk pranoi të hetohet për krimet që ka kryer me organizatën e tij kriminale që quhet qeveri. Ai nuk pranoi të hetohet për vjedhjet e mëdha të pasurive publike, për shndërrimin e Durrësit në parajsën e tij dhe të trafikantëve të tij, duke i plaçkitur shqiptarëve në port rreth 4 mln euro tokë dhe pronë publike. Ai nuk pranoi të hetohet për skandalin më të madh të kohërave, ndërkombëtar, Rama-McGoninal, në të cilin Edi Rama, Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, funksionuan si një grup kriminal i vërtetë. Në këtë skandal Edi Rama mobilizoi McGonigalin kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare. Në këtë skandal Edi Rama vendosi sistemin e gjobave shumëmilionëshe mbi biznesmenët shqiptarë. Në këtë skandal Edi Rama hoqi e vendosi sikur të ishin të familjes së tij, licencat e naftës pronë publike e shqiptarëve”.

SHKARKO APP