“Berisha gaboi, por edhe drejtësia ka gabuar”, Xhaferraj: Po bie kulti i pandëshkueshmërisë

Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj nuk ndan të njëjtin mendim me Sali Berishën sa i takon Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, pas kërkesës së saj për ashpërsimin e masës ndaj ish-kryeministrit. Në studion e Debatit me Alba Alishanin ai tha se Berisha gaboi që nuk respektoi vendimin e Gjykatës, por edhe drejtësia sipas tij veproi me standarde të dyfishta.

“Nuk bie dakord me Berishën qe nuk respektoi vendimin e Gjykatës për detyrim paraqitje. I pëlqente apo jo, Berisha duhet ta respektonte. Nga njëra anë kemi Berishën që nuk respektoi vendimin dhe kjo godet parimin që jemi të gjithë të barabartë para ligjit. Nëse Berisha gaboi që nuk respektoi një vendim gjykate, por edhe drejtësia ka gabuar. Drejtësia me standarde të dyfishta. Në rastin Tahiri, Komisioni i Mandateve u mblodh dy ditë. Në rastin Berisha ishin 7 faqe relacion. Në 32 nuk kam parë asnjë rast që një deputeti t’i kufizohet liria pa iu hequr imuniteti. Gjykata e zvarrit se është e paqartë, se kemi një moment ku ka gabuar SPAK dhe një moment ku ka gabuar Berisha”.

Por pavarësisht këtyre elementëve, deputeti demokrat shpreh mbështetjen ndaj SPAK, pasi sipas tij ka dënuar kultin e pandëshkueshmërisë dhe ka vënë pas hekurave individë që Rama nuk do të donte t’i kishte në këtë pozicion.

“Ajo që ka bërë SPAK për mua ishte e paimagjinueshme për Shqipërinë. I jap mbështetje maksimale SPAK-ut se ne nuk mund ta mendonim që Shqipëria mund të arrinte deri këtu në ndëshkimin e kultit të pandëshkueshmërisë. Por kjo nuk do të thotë që për çështje të caktuara ka standarde të dyfishta. Nuk ndaj të njëjtin mendim që ndan Berisha për SPAK dhe nuk e shoh në shërbim të Ramës se SPAK ka vënë pas hekurave individë që Rama nuk do të donte t’i kishte në këtë pozicion”.

Duke e cilësuar Berishën se lëviz në një bazament të lëkundshëm, përkundër Altin Dumanit, ai solli në vëmendje deklaratat e ish-kryeministrit për kryeprokuroren Ina Rama, që në momentin kur i doli kundër e quajti lavire bulevardi.

“Kemi pasur një sistem drejtësie mizerabël dhe tani kemi ngritur një reformë drejtësie që po jep produkt. Për mua ajo që ka prodhuar SPAK deri tani ka kthyer optimizmin që kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri mund të ndryshohet. Ruaj mendim pozitiv për hipotekën e zotit Dumani dhe Berisha këtu lëviz në një bazament të lëkundshëm hipoteke. Kemi Berishën që e bëri Ina Ramën, Silvia Konti dhe në momentin që i doli kundra e bëri lavire bulevardi. Dhe kjo e bën jo serioz në deklarimet e tij dhe unë mendoj se për të shkuarën e Dumanit nuk mund të etiketohet si majtist apo djathtist, por për dosjet që ka hetuar. Kulturës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi”.

SHKARKO APP