Berisha: Guvernatorja Kim më dërgoi një person në zyrë, ”hiq dorë nga gara dhe Basha ikën”
Sali Berisha e kundërshton faktin që sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim njohu Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar të PD-së. Berisha ka rrëfyer për herë të parë se Yuri Kim i ka dërguar një person në zyrë, ku i propozonte që të hiqte dorë nga gara për kryetarin e PD-së, ndërsa i kishte garantuar edhe largimin e Lulzim Bashës.
Duke e konsideruar të papranueshme ndërhyrjet e ambasadores Kim në punët e PD-së, Berisha po ashtu u bën thirrje shqiptarëve që të mos kenë ndikim në mendimet e tyre për mbështetjen amerikane.
“Shkelje e parimeve themelore mbi të cilat bazohet demokracia, e statusit të saj por ishte dhe përpjekje e dështuar e radhës e zonjës për të përcaktuar kreun e PD-së. Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj.
Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet. Përgjigjja ime ishte një refuzoj në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje tuaj zonjë në problemet e brendshme të PD, refuzoj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që të mos ndërhyni në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së sikundër jashtë çdo dyshimi që unë mund të pranoj ndërhyrje të tilla- pohoi Berisha në ”A2cnn”.
Në të vërtetë ambasadorja Kim i paska dalë borxhit ish-kryeministrit! Mos kandido dhe Basha ikën, por me sa duket Berisha nuk heq dorë e reagimi amerikan do të jetë përherë edhe më i fortë.