Berisha i akuzuar për korrupsion, reagon PS: Të bëhet burrë dhe mos tu arratiset përgjegjësive

Sali Berisha u paraqit këtë të mërkurë në SPAK, si i pandehur për dosjen ”Partizani”, ku tha se është një akuzë politike dhe pa fakte. Deputeti i PS-së Petro Koçi, ka thyer heshtjen nga kampi rozë, dhe thotë se Berisha duhet të bëhet burrë dhe mos u arratiset përgjegjësive, me retorikë politikë.

”Berisha përfundon si i akuzuar për korrupsion. Për një çështje që në bëmat e tij zë një vend të vockël. Publiku do mirëpriste hetimin serioz e të plotë për çështje më të rënda ku bën pjesë edhe vrasja shtetërore ne bulevard e 4 protestuesve të opozitës socialiste. Gjithsesi ditën e sotme mund ta deklarojmë si ditën kur në këtë Republikën me SPAK flet drejtësia dhe shteti ligjor. Është dite që dëshmon se pandëshkueshmëria po mundet dhe se karma e ligjit nuk harron gjithmonë.

Njeriu i shtetit paralel, revolucionari komunist i antikomunizmit, sundimtari absolut i Partisë Demokratike po paguan bëmat për të cilat nuk ja ka fajin as SPAK, as PD, as PS as Edi Rama, as Altin Dumani, por vetëm makuterua e pakontrolluar e fëmijëve dhe dhëndrit të tij për t’u pasuruar.

Berisha u “zgjodh” në krye të PD pasi u shpall non grata dhe pasi mori vesh hetimet e SPAK për procesin e korruptuar “antiPartizani” duke shpresuar se kjo do ti garantonte imunitet. Shteti ligjor po fiton terren dita ditës mbi kampionet e korrupsionit. E ftoj Berishën të bëhet burrë dhe të mos i arratiset përgjegjësisë me retorikë politike”, thotë Petro Koçi.

SHKARKO APP