Berisha i pandehur nga SPAK, Hila: Po mban peng opozitën. Gjekmarkaj: Po goditet opozita
Sali Berisha i pandehur nga SPAK, është tema në emisionet politike. Analisti Dritan Hila, thotë se ne duhet të presim derisa të flasë drejtësia, dhe se ish-kryeministri është një lider opozitar dhe në këtë kuadër e kupton edhe frustimin e opozitës.
”Berisha bëri një gabim që në gjenezë, caktoi pasardhësin e tij, mbylli garën në PD. Berisha ka frenuar talentet në PD dhe në këtë moment kemi një bllokim që për fat të keq, qoftë edhe për arsye të ndjesive njerëzore, nuk mund të dalë askush që të tentojë marrjen e drejtimit të PD-së. E shikoj si një marrje peng të opozitës nga Berisha”, tha Hila.
Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj duke replikuar me analistin Hila tha se ka një përpjekje për ta vënë opozitën në kushte të tilla që mos ketë mundësi të konkurojë me pushtetin. “Po goditet opozita, ka një tentativë për ta shuar atë”, tha Gjekmarkaj.