Berisha i vendosur: Nuk do të ketë më zgjedhje në Shqipëri pa votën e emigrantëve
Kreu i PD Sali Berisha në bashkëbisedimin online me diasporën ka kthyer vëmendjen tek vota emigrantëve, duke u shprehur se në Shqipëri nuk do të ketë më zgjedhje pa votuar edhe shqiptarët jashtë vendit.
Gjithashtu Berisha tha se në vitin 2013 u bë ligji që pranonte votimin online të emigrantëve dhe Diasporës, por sipas tij ishte Edi Rama i cili kërcënoi se do të bojkotonte zgjedhjet dhe se në këtë mënyrë u detyrua ta pranonte ultimatumin e tij.
“Në vitin 2013 bëmë ligjin që pranonin votimin online të emigrantëve dhe Diasporës aty ku ishin, por Rama kërcënoi se do të bojkotonte zgjedhjet nëse ky ligj kalonte dhe në këto rrethana u detyrova të pranoj ultimatumin e tij. Sot ju garantoj se nuk do të ketë më zgjedhje në Shqipëri pa votën tuaj. Ky është një detyrim Kushtetues. Nuk ka emigrantë nga vendet e Ballkanit që nuk votojnë përveç atyre shqiptarë. Tani Edi Rama kërkon të përdorë disa formula që përdoren për emigracionin e shek 19 dhe këtë nuk do ta pranojmë, por do të luftojmë sëbashku me ju për parimin se çdo shqiptar kudo që ndodhet të ketë të drejtën e votës në rrethin, qytetin nga i cili është larguar”, tha Berisha.