Berisha: Ish-kryetari (Lulzim Basha) shpalli Non-Grata bazën e partisë
Ish-kryeministri Sali Berisha, thotë se Lulzim Basha që ai e quan ish-kryetari i PD-së, shpalli sot ”Non-Grata” bazën e partisë.
Partia Demokratike përmes një reagimi zyrtar pas debatit të sotëm në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar, thotë se Lulzim Basha në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si anti-amerikane.
“Në lidhje me spekulimet që qarkullojnë mbi mbledhjen e sotme të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së, Partia Demokratike deklaron: Kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si antiamerikane. Ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale”, lexohet në deklaratë.
Po ashtu për shpalljen e Berishës ”Non-Grata”, Lulzim Basha tha se është kërkuar përjashtimi nga kupola e shtetit amerikan, jo nga ndonjë zyrtar i rangut të tretë.