Nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm i PD: Nuk japim dorëheqjen se kërkon Berisha!

Këtë të martë, nga ”Foltorja” me demokratët në Mat, Sali Berisha tha se procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së PD-së ishte i manipuluar, ku kërkoi dorëheqjen e Kryesisë. Gazmend Bardhin, Jorida Tabakun, Grida Dumën, Enkelejd Alibeajn dhe Alfred Rushajn, ish-kryeministri i quajti pengjeve të Bashës.

Katër nënkryetarët e PD-së si edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi i janë përgjigjur Berishës me një status të fortë.

Reagimi i tyre ndaj kërkesës së Berishës:

Prej disa ditëve, për shkak të qëndrimit tonë në mbrojtje të demokratëve dhe interesit të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha ka nisur një fushatë të padenjë sulmesh ndaj Nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Me keqardhje, përsëritet kërkesa që ne duhet të braktisim Partinë Demokratike dhe demokratët, dhe të bëhemi bashkë me Sali Berishën kundër partisë.

Secili prej nesh është i vendosur të refuzojë shkeljen e Statutit për interesa personale të Sali Berishës dhe izolimin e Partisë Demokratike. Kërkesa e z.Berisha nuk ka asnjë lidhje me PD, asnjë lidhje me standartet demokratike, asnjë lidhje me hallet dhe problemet e demokratëve.

Demokratët kanë 8 vite që përballen me dhunën dhe terrorin e Edi Ramës, me krimin dhe bandat e tij dhe nuk jemi sprapsur as kthyer nga rruga për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne e kemi për detyrë të jeni krah tyre.

Asnjë intimidim nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë në krah të demokratëve, për një parti që u shërben atyre dhe jo që kthehet në mburojë të interesave personale të Sali Berishës, aleatëve të tij dhe cilitdo tjetër.

SHKARKO APP