Berisha këmbëngul: Dumani faktoi lidhjet e krimit me qeverinë ”Rama”
Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së që sot voton për drejtuesit e rinj, kryetari Sali Berisha tha se dëshmitë e Nuredin Dumanit faktojnë lidhjet e krimit me qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Berisha u shpreh gjithashtu edhe se qeveria e Ramës përmes bordeve i ka grabitur e plaçkitur shqiptarëve 300 milionë euro.
”Shqipëria është në duart e krimit. Veç ngjarjet e javës së fundit tregojnë se në Shkodër krimi dhe policia janë një. Krimi godet në çdo skaj të këtij qyteti sikundër në çdo skaj të vendit.
Dëshmitë e Dumanit, vrasësit serial të bandave të qeverisë të cilat dora dorës do bëhen publike, faktojnë lidhjet e këtyre bandave në nivelet më të larta të qeverisjes së sotme, faktojnë dominimin e tyre mbi shtetin mafioz të kryqëzuara më të dhënat e prokurorive.
Shqiptarët shkasin përditë në varfëri e mjerim vetëm dy muajt e fundit qeveria e Ramës grabiti nëpërmjet bordeve 300 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve. Mbi 300 mijë fëmijë jetojnë në kufijtë e varfërisë ekstreme”.