Berisha kërkon debat mes kandidatëve: Qytetarët po dëgjojnë fjalimet me mashtrime të Rilindjes
Ish-kryeministri Sali Berisha që në këto zgjedhje lokale është në garë me kandidatët e koalicionit ”Bashkë Fitojmë”, vijon që të kërkojë që kandidatët e bashkive të përballen në debate publike mes tyre. Sipas tij deri tani qytetarët po dëgjojnë vetëm fjalimet me mashtrime të Rilindjes.
“Transparenca dhe përgjegjësia para qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet mes kandidatëve që garojnë për kryetarë bashkie, midis këshilltarëve të parë që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale.
Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindasit dhe nuk kanë mundësi për asnjëlloj llogaridhënie dhe transparence. Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë”,-tha Berisha në një deklaratë për mediat.