Berisha komenton Buxhetin 2023: Kemi thirrur në interpelancë Ramën
Partia Demokratike ka gati 23 amendamente për buxhetin e shtetit 2023, të cilat do dorëzohen Parlamentit. Kreu i PD-së, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar u shpreh se deputetët e PD kanë thirrur në interpelancë edhe kryeministrin Rama.
Sipas tij, amendamentet që do paraqesin demokratët planifikojnë një shpërndarje të buxhetit të shtetit në mënyrë të drejtë, duke rrëzuar vjedhjet.
Berisha: Mbledhja është një mbledhje pune shumë e rëndësishme për shkak të rendit të ditës. Janë buxheti i shtetit për të cilin deputetët e PD kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur edhe në interpelancë Edi Ramën. Amendamentet e paraqitura përbëjnë një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit nga një buxhet për t’u vjedhur në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre më të ulëta në rajon dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulta. Në buxhet në amendamentet e përgatitura janë përparesuar pas rrogave dhe pensioneve ku kërkohet një rritje 25% e rrogave dhe pensionet një rritje e ndjeshme e tyre. Janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë. Janë përparësuar masa fiskale në favor të qytetarëve, për të ulur përballimin e çmimeve të larta. Ka disa amendamente që i mbështesin plotësisht si ulja me 6% e TVSH për energjisë elektrike, për ushqimet, barazimi i TVSH në produktet bujqësorë, heqja e akcizës së gazit, limit i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të covidit për bizneset. Ka një amendament për krijimin e fondit rezervë të KESH që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më cështje mundësie, por çështje detyrim real ligjor ku KESH do detyrohet të mbajë fond rezervë 15 mln euro për të përballuar përmbytjet që krijon mbi në zonat mbi të cilat janë vendosur digat.