Berisha: Ky 20 shkurt fton çdo shqiptar të ngrihet me guxim dhe të vijë në Tiranë!

Nga Sali Berisha

Të dashur qendrestarë dhe qendrestare, misionarë të pamposhtur të përpjekjeve të shqiptarëve për t’u çliruar nga një diktaturë e dytë, diktaturë e shëmtuar, diktaturë që po shkatërron qenien shqiptare më shumë se të gjitha pushtimet që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.

Miqtë e mi! 20 shkurti është dita e shqiptarëve, është dita e betejës kundër tiranisë. Me 20 shkurt, mbi 100 mijë shqiptarë u bashkuan formuan një fuqi që vendi kurrë nuk e kishte parë, përmbysën simbolet e tiranisë më të egër që kishin përjetuar dhe çelën rrugën e 22 marsit, votës së lirë, triumfit të demokracisë. Ky 20 shkurt fton çdo shqiptar për të cilin është i çmuar liria dhe dinjiteti njerëzor, për të cilin është i çmuar Shqipëria dhe kombi të ngrihet me guxim, të vijë në Tiranë, kudo që ndodhet për një betejë pa kthim kundër regjimit që bazohet në krimin, vjedhjen e shqiptarëve, drogën, shkatërrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me 20 shkurt ftoj mbarë qytetarët e këtij vendi të vijnë në Tiranë, sepse demokracia, sepse liria është pasuri e të gjitha pasurive. Koha provoi se sot shqiptarët janë më të varfër, janë shpresëvrarë, largohen masivisht nga Shqipëria, janë qytetarët më të vjedhur në Europë. Votën e tyre e numërojnë bandat dhe banditët. Opozitën e tyre e shkatërroi mafia shqiptare dhe ndërkombëtare. Sot çdo shqiptar që do ta ndiejë veten të respektuar, dinjitetin e tij të respektuar duhet të bashkohet me ju, të bashkohet në Tiranë, në një betejë jetike për të rikthyer në Shqipëri vlerat e lirisë, votën e lirë, pluralizmin. Miqtë e mi! Zhvillimet e dy viteve të fundit janë zhvillime dramatike në themelet e një rendi shoqëror. Janë zhvillime dramatike për të ardhmen e një kombi dhe një vendi, janë zhvillime të cilat faktojnë për çdo njeri vendosjen e një lloj diktature tjetër, diktaturës së krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Opozita u sulmua barbarisht si askund tjetër, mafia më e fuqishme e botës u kontraktua për të shkatërruar opozitën shqiptare. Qeveria me në krye, kryehajdutin e kombit bëri gjithçka që vendi të ishte pa opozitë. Por të gjitha këto dështuan. Sot opozitë jeni ju, opozitë janë qindra e mijëra shqiptarë të cilët bashkohen me ju, me 20 shkurt për t’i dhënë ndëshkimin e merituar atyre të cilët donin një shqipëria pa opozitë, atyre të cilët asgjësuan çdo hapësirë për opozitën. Atyre të cilëve me firmat e tyre vjedhin çdo ditë, çdo muaj qindra e qindra milionë euro. Trajtojnë pasuritë publike si pronë private, njëlloj si në diktaturën më të egër. Atyre të cilët shkelmojnë mbi interesat kombëtare, mbjellin ndasi dhe bëjnë gjithçka që të asgjësojnë fuqinë e një kombi, të ardhmen e tij.

Sot shqiptarët janë një komb, nuk them në zhdukje, por pothuajse në zhdukje. Në 10 vite më shumë se 1/3 e tyre janë larguar nga Shqipëria. Dy janë largimet më të mëdha të shqiptarëve nga kjo tokë në kohërat e reja. Largimi i vitit 1990, kur ata u takuan me lirinë, por përjetonin dhimbjet e tmerrshme të tiranisë së mjerimit dhe u nisën e vërshuan për të lehtësuar ato dhimbje në dhera të tjera. Kurse largimi i dytë vjen këto 10 vite si pasojë e instalimit gradual të një të keqe të madhe, të një diktature të re, në të cilën çdo ditë vritet shpresa e tyre.

Në të cilën atyre u dëshmohet se vullnetin e tyre e kontrollon qeveria. Në të cilën atyre u dëshmohet se pasuritë publike janë pasuri e qeverisë për ti vjedhur dhe shpërdoruar. Në të cilën atyre u dëshmohet se droga është preokupimi kryesor i pushtetit. Në të cilën atyre u faktohet se krimi është sundimtari i vërtetë i Shqipërisë. Të gjitha këto janë një apel i madh për çdo shqiptar. Janë një apel për ata që përmbysën një diktaturë.
Ngrihuni, se ju njihni më mirë se kushdo tjetër të zezat e diktaturave. Ngrihuni, sepse ju përjetuar varfëri dhe mjerim, se në paranojën e tij Enver Hoxha shndërronte pasuritë në bunkerë dhe tunele.

Kurse sot përsëri nuk begatoni, jeta juaj përkeqësohet sepse Edi Rama transporton me avionin e tij, me 140 fluturime në 18 muaj, shumat përrallore të parave tuaja. Sepse, Edi Rama sikur të mos ekzistoni kërkon të përvetësojë miliarda me portin e Durrësit. Sepse, Edi Rama ndërton 1 kilometër rrugë me 20-24 mln euro, në një kohë që të tjerët e ndërtojnë me 1-2 mln euro. Sepse, Edi Rama ndan pasurinë me klanet e krimit. E ka shndërruar Tiranën, qytetin e bekuar, në lavatriçen më gjigante të drogës dhe krimit në botë. Ja kalon dhe Bogotas dhe qyteteve të Amerikës Latine. Nuk ka qytet tjetër në të cilin, nuk gjindet qytet tjetër në botë që të ketë 50 mijë apartamente bosh dhe çmimet vetëm të rriten.

Njëlloj si në diktaturë ka vendosur nën kontroll të plotë dhe total drejtësinë e re, atë që e quajtën drejtësi të re, drejtësinë e krimit, drejtësinë e turpit, shëmtinë më të madhe, monstrën më të madhe pas rilindjes, që ka krijuar rilindja. Drejtësinë që e kontrollon në çdo qelizë, Edi Rama. Ka vetëm një rrugë, revolta popullore, revolta qytetare. Të ju pyes unë ju? A nuk i kapëm hajdutët me presh në dorë, duke vjedhur vota në dosjen 339-184? A nuk po flisnin banditët për vjedhje votash, a nuk po jepnin urdhër për vjedhje votash, nga Edi Rama tek Vangjush Dako? Më thoni, a ekziston një akuzë nga skapi i partisë për këta kriminelë elektoralë? Atëherë, çfarë mbetet për ne? Mbetet revolta, revolta, revolta dhe vetëm revolta!

Ose ne duhet të votojmë të lirë dhe qytetarët të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë që duan, ose duhet të jemi të gatshëm për çdo sakrificë. Ai që prek votën, duhet të marrë atë që meriton. Çdo qytetar që varfërohet, që i shkatërrohet vendi i punës, që i ikin fëmijët nga vendi për shkak të pamundësisë ekonomike, varfërisë, skamjes, sepse vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet nga qeveritarët, pret që drejtësia ta mbrojë. Po, çfarë ndodh? Drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama, merr llokmat dhe bën drejtësi me porosi, për atë që i thotë dhe atë që do.

Të dashur miq! Prej mëse 3 muajsh janë kapur të gjitha biseda e firmës ‘5D’ në grupin e Whatsapp. Në këto biseda Erion Veliaj jep urdhra të prerë, vidhni kaq dhe vidhni aq, merrni kaq dhe merrni aq me tendera, bëni këtë dhe bëni atë. Çfarë bën Damani? Është bërë avokat i tij. SKAP-i mbron krimet horror që këta qeveritarë kryejnë me vjedhjet e njerëzve më të varfër në Europë. Revolta dhe vetëm revolta qytetare është fjala dhe duhet të jetë fjala jonë. Lufta, beteja jonë është një betejë jo vetëm e jashtëzakonshme, por në frymëzimin e saj është dhe betejë hyjnore.

Edhe dje e theksova dhe prap e theksoj. Alexei Navalny është një hero i njerëzimit në luftën kundër korrupsionit. Të dashur miq! Pasi e helmuan, u kurua. Vrapoi përsëri në vendin e tij për t’u përballur me tiranin, për t’u përballur me diktatorin, për t’u përballur me njeriun që vidhte qytetarët e tij, me miliona e miliarda, barbarin Putin.

T’ju bëj një pyetje unë ju. A nuk kemi edhe ne Putinin tonë hajdut këtu? A nuk jeton ai në sarajet që kanë çdo tullë të vjedhur?

A nuk jeton ai në sarajet me 5 mijë katrorë oborr, çdo metër katror të vjedhur?
A nuk po vjedh ai me familjarët e tij, në dhjetëra e qindra tendera?
A nuk është ai që firmos për qindra milionë?
A nuk është ai që nuk ngopet kurrë, por që pas djegësave, kalon te porti i Durrësit 3-4 miliardë?
A nuk është ai i vëllai i Olsit, që me Amant Josifin vjedhin me Bitcoin miliarda në Europë?
Ai është njeriu që nuk ngopet kurrë, që do të varfërojë çdo ditë e më shumë shqiptarët.
A nuk është ky një kushtrim për çdo qytetar të këtij vendi të ngrihet me 20 shkurt të shpëtojmë Shqipërinë, të shpëtojmë të ardhmen tonë?!
A nuk është ai që shndërroi në hiç ëndrrën tonë Europiane?
A nuk është ai që festoi me fan fare, fishekzjarrë, shampanjë dhe dekorata, hapjen e negociatave 6 vite më parë dhe që sot nuk janë hapur akoma?
A nuk është ai që po tallet me çdo shqiptar për të ardhmen e tij?
A nuk është ky që është shndërruar për interesa tij, një armik i egër i Kosovës?

Që përdor të gjithë fuqinë diplomatike të një vendi, për të lobuar kundër saj, për të rrëzuar qeverinë e saj, për të ndarë territoret e saj me Aleksandër Vuçiçin. Të gjitha këto miqtë e mi, janë kushtrim, frymëzim për çdo shqiptarë të bashkohemi me 20 shkurt në betejën tonë të fitores. Me 20 shkurt, burra dhe gratë e lira, djemtë dhe vajzat e lira, inaugurojnë betejën e madhe kundër diktaturës së re, kundër regjimit, narkoshtetit.
Kundër regjimit të vjedhjes, krimit dhe drogës. Kundër regjimit antishqiptar, për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, për dinjitetin e çdo shqiptari. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!

SHKARKO APP