Berisha: Mbi Ramën rëndojnë vepra të rënda penale. Të japë dorëheqjen!
Kreu i PD-së Sali Berisha kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për mediat, Berisha në protestën e nesërme se shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave.
“Protesta e ditës së nesërme, thirrja e saj ka një impakt të jashtëzakonshëm te qytetarëve shqiptarë dhe pritet me një interes të madh në mbarë botën. Kjo është protesta në gjithë memorien time që ka zgjuar interesin më të gjallë jo vetëm në Shqipëri, ku në të gjitha qytetet, fshatrat, rrugicat, kafenetë, nuk flitet veçse për këtë protestë, por interes të madh në mbarë botën, veçanërisht në SHBA dhe në vendet e Europës. Kjo është një protestë me të cilën shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave. Reagojnë për largimin e kryeministrit i cili për karrigen e tij nuk ngurroi të korruptojë dhe ta përdorë si vrasës me pagesë zbuluesin ndoshta më të rëndësishëm të planetit. Përmasat e aferës e shumëfishojnë çdo ditë interesin për protestën e shqiptarëve, sikundër theksoj se Edi Rama është absolutisht i pashpresë, ai ka fshehur krimin para drejtësisë shqiptare dhe drejtësisë së SHBA-ve. Ai është në hetim të thellë në SHBA dhe ai hetim është shterues për të gjithë veprimtarinë e tij kriminale ndaj vendit partner, ndaj vendit aleat, udhëheqës kryesor i NATO-s, i paqes dhe sigurisë në botë. Por Edi Rama ka konsumuar vepër penale duke fshehur krimin në Shqipëri. Ai ka dërguar dëshmitarë në New York për të hetuar dhe manipuluar komplotin kundër opozitës, ndërkohë nuk ka paraqitur një dëshmitar të vetëm para drejtësisë shqiptare. Fshehja e krimit përbën një vepër të rëndë penale. Kemi të bëjmë me një njeri mbi të cilin rëndojnë vepra të rënda penale. Me një njeri i cili me veprimet e tij ka kërcënuar rëndë sigurinë e SHBA-ve. Me një njeri i cili me veprimet e tij është përpjekur të përmbysë pluralizmin politik në Shqipëri. Një krim monstruoz krim kushtetues, por edhe një sërë krimesh të rënda të kësaj afere. Edi Rama të japë dorëheqjen menjëherë dhe të parevokueshme”, tha Berisha para gazetarëve.