Berisha mbledh Këshillin Kombëtar: PD në 2025 merr pushtetin, ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë
Sali Berisha ka folur online me Këshillin Kombëtar të PD. Ai tha se ky do të jetë shtatori i fundit i PD-së në opozitë. Duke shprehur optimizimin për fitore në zgjedhjet e vitit 2025, Berisha u bëri thirrje demokratëve që të kërkojnë me besimin e fitores votën e qytetarëve.
“PD në 2025 merr pushtetin. Rrotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më, rrotacioni është në duart tona. Kemi përballjen finale kundër të keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti dhe dënoi shqiptarët. Çdo demokrat e demokrate kur të kërkojë votën për PD, duhet t’i shihet në sy bindja për fitore, duhet t’i dëgjohet në zë bindja për fitore. Sot më shumë se kurrë fitorja qëndron në guximin, besimin dhe duart tona”,-tha Berisha.
Ai tha se përgjatë këtyre viteve PD u plagos, por sot sipas tij është më e fortë se kurrë. Për të zgjedhjet do të jenë prova më e vështirë në 32 vite për votën e lirë. ”Jemi provën më të vështirë të ndërgjegjes, guximit dhe të ardhmes sonë në 32 vite”.