Berisha mbyll fushatën në Durrës: Ky qytet ka nevojë jetike shpëtimi dhe këtë e sjell Igli Cara
Këtë mbrëmje, Sali Berisha mbylli fushatën në Durrës, ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” garon me Igli Carën. Në fjalën e tij, Berisha tha se Durrësi ka vendosur të ndryshojë më 14 Maj.
“Durrësi, qyteti i lavdisë historike, qyteti port e kombit drejt perëndimit, ka nevojë jetike ndryshimin. Durrësi ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e një mafie e cila është e pashpirtë ndaj qytetarëve të Durrësit, e pashpirt ndaj trashëgimisë së Durrësit, e pashpirt ndaj të ardhmes së durrsakëve. 14 maji do të jetë fundi i saj.
Durrësi kjo trashëgimni madhështore e qytetërimeve, e kombit, njohu këto vite të qeverisjes mafioze, shkatërrimet më të mëdha se sa nga luftërat, se sa nga tërmetet, se sa nga cunamet. Mbi monumentet e Durrësit u vërsul me egërsi të pamëshirë mafias Rama-Dako-Sako dhe me radhë. Durrësi që me portin e vet begaton qytetin dhe vendin, po pëson pushtimin më të egër. 2700 vite asnjë pushtues nuk ja preku portin Durrësit, nuk ja preku aortën, nuk ja preku rrugën kryesore të frymëmarrjes, portën e kombit drejt perëndimit. Tani Edi Rama për të realizuar ëndrrën e tij arabe prej miliarderi do të na e shndërrojë Durrësin në Dubai City.
Unë nuk jam racist, kam respekt për kombet dhe qytetërimet, por ne kemi një testament. Ata të cilët krijuan doktrinën tonë kombëtare, shkrojtën se, për ne dielli lind jo nga lindja, por nga perëndimi. Ndaj dhe Durrësi do të mbetet gjithmonë syri i perëndimit për kombin shqiptar. Rama me një babëzi të papërmbajtur mendon të realizojë ëndrrën e tij, të bëhet miliarder si Alalabari duke plaçkitur 800 mijë metër katrorë truall, tokë të durrsakëve. Kurrë nuk do të lejohet”, tha Berisha.