Berisha: Ndërhyrja në TIMS, vepër e Ramës dhe Ballës për të shuar të dhënat e çarterave

Ish-kryeministri, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme me gazetarët, u ndal edhe te ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Berisha tha se Drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, ndërhyri në sistemin Tims përmes një kompanie private me urdhër të kryeministrit Rama.

Sipas ish-kryeministrit, qëllimi ishte që të fshiheshin të dhënat e personave të caktuar që kanë hyrë me çartera privatë në territorin shqiptar.

Për këtë çështje Berisha hedh akuza jo vetëm ndaj Ramës, por edhe ndaj ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

“Por emërimi i Taulant Ballës në krye të rendit u shoqërua me një akt tjetër të paimagjinueshëm, tërësisht në mbështetje të krimit, në mbrojtje të krimit: nxjerrjen e të dhënave në një akt in ekstremis të të dhënave të TIMS. Aty është i gjithë databejzi i krimit dhe jo i krimit.

Ervin Muço, i dërguar direkt nga Edi Rama pas Taulant Ballës, për të ekzekutuar këtë krim të shëmtuar, kur atij nuk iu bindën punonjësit, të cilët i përgëzoj, ai shkoi dhe mori kompani private dhe i mori serverat në komisariat dhe i nxori të dhënat. Kjo është vepër e Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Atyre u duhet të shuajnë të dhënat e çarterave. McGonigalin e ka sjellë Duçka dhjetë herë me çarter këtu.

Alberto Preseci dhe Flavio Tosi kanë ardhur te Erion Veliaj me dhjetëra herë me çarter”, tha Berisha.

SHKARKO APP