Berisha në Kuçovë: Lefter Maliqi ka mbështetjen totale të demokratëve. PD nuk bojkoton kurrë më zgjedhjet
I radhës që u prezantua nga Sali Berisha është Lefter Maliqi. Mbrëmjen e kësaj të marte, Sali Berisha teksa prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kuçovë, tha se më 14 Maj, Partia Demokratike do i japë këtij regjimi përgjigjen e merituar, dhe se ata nuk do ti bojkotojnë më zgjedhjet.
“Lefter Maliqi është kandidat i koalicionit me mbështetje totale të demokratëve, të Partisë së Lirisë dhe unë kam bindje të madhe se këtu në Kuçovë koalicioni ynë do ketë një nga sukseset më të shkëlqyera. Ne më 14 Maj kemi në dorë njërin nga vendimet politike më të rëndësishme të jetës tonë, kemi në dorë të votojmë për të rivendosur pluralizmin politik në Shqipëri.
Ne do i japim përgjigjen e merituar këtij regjimi. E kemi dhe ne një përgjegjësi, e ndihmuam shumë Ramën kur ja dorëzuam të gjitha komunat dhe bashkitë atij, por PD nuk e përsërit më kurrë atë. Ne jemi forcë politike që mbetet e pamposhtur sepse ka kauzën e lirisë dhe së dyti ne gabojmë, por njohim dhe korrigjojmë gabimet tona.
Ndaj dhe ne në statutin tonë shkruam që PD nuk bojkoton kurrë më zgjedhjet, kështu që më 14 Maj demokratë, qytetarë të të gjitha forcave politike, duhet të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive tona, të largojmë monizmin me votën tonë, sepse është fatkeqësi kombëtare, mungesë lirie që është oksigjeni i shoqërisë. Pa liri ka vetëm rrënim”,-deklaroi Berisha.