Berisha në Pogradec: Kandidatët tanë i zgjedh populli, kurse tek partia tjetër i zgjedh mafia

Sali Berisha ishte paraditen e kësaj te diele në qytetin e Pogradecit ku ka prezantuar kandidatin për këtë Bashki, në zgjedhjet e 14 majit, Zini Tollozhina. Berisha tha se kandidatët e grupimit të tij janë njerëz të zgjedhur nga populli, ndërsa për kandidatët kundërshtarë u shpreh se zgjidhen nga klanet kriminale.

“Jam sot para jush për të paraqitur si kandidat për qytetar të parë njërin nga demokratët më të përkushtuar, nga njerëzit më punëtorë. Njëri prej bijve të Pogradecit, si kandidat për kryetar bashkie. Këtu në Pogradec, dje isha në Korçë, dhe kudo që shkoj ndiej një kënaqësi të veçantë, sa asnjë nga kandidatët që unë paraqes nuk janë kandidatë të kryetarit, apo kryesisë së partisë. Janë kandidatë të votës, vullnetit tuaj. Janë kandidatë të lirisë.

Në vjeshtën e vitit 2021 në Pogradec, në Korçë, në mbarë Shqipërinë kishte një kërkesë legjitime: të caktojmë ne vetë kandidatët, dhe kjo ishte një kërkesë e drejtë e cila u mor krejtësisht parasysh. Me votën tuaj dhe të simpatizantëve tanë, sot garojnë në 61 bashki të vendit kandidatët e lirisë karshi kandidatëve të bodrumeve, shpellave dhe dosjeve të fshehta.

Asnjëri nuk ka dëgjuar një fjalë të vetme se çfarë procedure ndjek partia tjetër e krim-ministrit për emërimin e kandidatëve të saj. Ndjek procedurën e gjobave, e nënshtrimit, e propozimit të klaneve kriminale, e valixheve me euro që paguhen për të kandiduar”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.

SHKARKO APP