Berisha në Shijak, ironizon Ramën: Nga takimi në takim me zorrën qorre në gojë

Pasditen e kësaj të marte, Sali Berisha ishte në Shijak ku edhe prezantoi kandidatin e koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Rezeart Tusha. Ai theksoi se zgjedhjet vendore janë jetike për të rikthyer pluralizmin në Shqipëri. Berisha nuk la pas as akuzat ndaj qeverisë që sipas tij po ushtron genocid ndaj shqiparëve. Për Edi Ramën u shpreh se shkon nga takimi në takim në këtë fushatë “me zorrën qorre në gojë”.

“Ju jeni njerëz banorët e Shijakut, por edhe shqiptarët tani kanë parimet e lirisë, parimet e demokracisë. Kjo që ndodh, kjo dramë kombëtare që kalojmë, ky genocid i vërtetë që ushtrohet ndaj shqiptarëve duke krijuar kushte për largimin e tyre nga vendi, ka si emërues të përbashkët, ka si shkak të gjitha shkaqeve pushtetin në duart e një njeriu i cili njëherë u thotë se do bëhem Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kaq i vyer jam.

Një herë tjetër u thotë se jemi bërë shembull botëror, herën e tretë qarkon nga takimi në takim me zorrën qorre në gojë dhe në mos me zorra të tjera. Pra një njeri që mendon dhe beson se me pushtetet e tij mund të bëjë ç’të dojë, mund të thotë ç’të dojë, mund të bëjë natën, mund të bëjë ditën dhe të marrë çdo vendim për qytetarët shqiptarë.

Ndaj këto zgjedhje më 14 Maj janë jetike jo vetëm për vendosjen e një njeriu të ndershëm, një njeriu të përkushtuar, një menaxheri të shkëlqyer që do përdorë çdo qindarkë tuajën me transparencën më të madhe, por janë jetike për të rikthyer pluralizmin në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

SHKARKO APP