Berisha në SPAK, Noka sms demokratëve: Gati për protestë të mërkurën, ditë kur kryedemokrati hyn te Prokurorët
Partia Demokratike do të organizojë një protestë këtë të mërkurë përpara ambienteve të SPAK, ditë që përkon me paraqitjen e Sali Berishës, i thirrur nga SPAK. Është një mesazh i shkruar nga Flamur Noka, që sot i është nisur demokratëve.
“Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtsisë”, është mesazhi. Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të paraqiten në Prokurorinë e Posaçme në orën 14:00 dhe pritet që t’ju komunikohet zyrtarisht akuza për çështjen “Partizani”.
Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh ndodhet në arrest shtëpie. Berisha po hetohet nga SPAK pasi ka dyshime se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi gjatë kohës kur drejtonte qeverinë. Malltezi është një ndër pronarët e truallit ku shtrihej ish-kompleksi sportiv “Partizani”, hapësirë ku aktualisht janë ndërtuar disa komplekse banimi.