Berisha ”Non-Grata”, Basha: Informacionet doktori i di mirë, kërkesa erdhi nga kupola e shtetit amerikan
”Nuk do të lejoj asnjë grupim anti-amerikan”. Ky është mesazhi i prerë që ka dhënë sot kreu i PD-së, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar në selinë blu, duke i’u referuar takimeve që ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur në disa qytete të vendit. Po ashtu për shpalljen e Berishës ”Non-Grata”, Lulzim Basha tha se është kërkuar përjashtimi nga kupola e shtetit amerikan, jo nga ndonjë zyrtar i rangut të tretë.
Mesazhi i Lulzim Bashës
Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas! Ka një keq lexim që bëhet ose interpretohet në media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mirë. Por siç ka deklaruar edhe vetë ai, do ta ndjekë procesin gjyqësor. Derisa e vërteta të dalë në shesh, do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen organeve të PD. Nuk është vendimi i jetës time, por vendimi më i vështirë i jetës time.
S’ka për të pasur grup anti-amerikan në logon e PD. Jam marrë edhe tre muaj për zgjidhjen e këtij konflikti, nuk ka qenë vendim i marrë në minutat e fundit. Vendimi është marrë për të mos përçarë partinë dhe demokratët. Kërkesa për Doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët.
Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për ti marrë vesh kurrë. Në PD nuk do të lejoj dhe nuk do të ketë grupime anti-amerikane. Ky është vendimi në interes të demokratëve.