Berisha ”non-grata” nga Britania, Lela: Autori është Rama. Do ankimohet në Home Office

Këtë të premte në një konferencë për mediat, Sali Berisha tha se është shpallur ”non-grata” nga Britania e Madhe. Drejtori i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, Alfred Lela, thotë se fakti që kryeministri Edi Rama e shpalli vendimin në Parlament çon ujë te pretendimi i Sali Berishës, se është kryeministri autori i dosjeve.

”Këshilltari më i mirë i Berishës është logjika dhe përvoja shumë e gjatë politike. Berisha ka marrë një letër, njoftimin zyrtar, pak orë pasi Rama e shpalli në Parlament atë që pritej të ndodhte. Shkrimi është botuar në gazetën Panorama, para se të botohej në website-n e Home Office, që dua ta lidh me shpalljen, para se ta dinte i zoti i punës, që në këtë rast është z.Berisha. Pse është informuar dhe në shkelje të një etike, z.Rama me ironi apo nëntekst e shpall në Parlament. Të mos harrojmë se ka bërë të njëjtën gjë për non gratën amerikane. Kjo qartësisht çon ujë te pretendimi i z.Berisha se dosjet shkojnë nga këtu dhe autori është Edi Rama. Nëse Rama i di dhe i shpall vendimet e administratave të huaja, këtu diçka ka, diçka lëviz, dhe na mbetet të paktën të dyshojmë”,-tha në ”MCN TV”.

Për më tepër, Lela thekson se dizajnimi britanik mund të ankimohet në Home Office, ndryshe nga vendimi i DASH. ”Është pak a shumë leximi britanik i një teksti amerikan. Ndryshimi është se në rastin britanik përmendet Fazlliç. Berisha po konsultohet me ekspertë ligjorë, vendas dhe të huaj. Dizajnimin britanik mundet ta ankimosh në Home Office. Pastaj duhet parë nëse mund të çohet në gjyq për shpifje. Berisha do ndjekë të njëjtën rrugë si në rastin amerikan, do t’u drejtohet arbitrazheve për të vendosur drejtësi. E bën të duket ndeshje e paparabartë dhe e padrejtë, ngaqë këto akuza i kemi dëgjuar si komplimente nga të njëjtat gojë. Administratat aktuale e akuzojnë paradoksalisht për të njëjtën periudhe kur ato e kanë komplimentuar. Ka diçka që nuk shkon, që logjika duhet t’u bëjë rezistencë”.

Po ashtu Lela thekson edhe se duke e shpallur ”non-grata”, Berisha po heroizohet pasi edhe vendimi i mëhershëm nga DASH e rriti popullaritetin e tij. ””Non-grata” amerikane e ka rritur popullaritetin e Berishës. Është ky popullaritet i shtuar që çoi edhe te dizajnimi britanik. Ka gjithmonë një plan bashkimi të PD. Kur thua bashkim nuk mund të mos kesh ndërmend popullin që ishte në shesh në 7 korrik. Sot kam parë gëzim te ato pak vetë që ende mbështesin (Bashën). Berisha është i vetmi politikan që pa pushtet politik mund të mbledhë në Shqipëri një lumë të tillë mbështetësish”.

SHKARKO APP