Berisha: PD ta lexojë mirë mesazhin e 2 marsit. Qytetarët të gatshëm t’i përvishen Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha, thotë se autoriteti i SPAK është kompromentuar me dy veprimet e para, që ishin transferimi i dosjes së zgjedhjeve në Dibër si dhe heqja e dosjes së Bajrave duke mos i cilësuar bandë kriminale.
”Një nga aktet më të turpshme që po e dënon Shqipërinë ishte se SPAK mori dosjen e grabitjes së zgjedhjeve dhe e transferoi në Dibër. SPAK hoqi dosjet e Bajrave duke thënë se nuk janë bandë, kjo është përrallë me mbret. Gjithnjë e më keq do të funksionojnë, dhe faturën e paguajnë shqiptarët”.
Në një intervistë për ”Euronews Albania”, Berisha duke folur për marrëdhëniet e tij me Presidentin Ilir Meta, u shpreh se sot “ai është President i vendit dhe kjo është e gjitha që më lidh mua”, dhe nga ana tjetër shtoi se “është i vetmi institucion legjitim në Shqipëri”.
Pyetjes së gazetares, Ilva Tare nëse paraqitet e qetë situata në PD, Berisha iu përgjigj duke e riformuluar fjalinë, me një mesazh të qartë për Bashën. ”Mitingun e 2 marsit, uroj dhe shpresoj që ta lexojë mirë opozita. Ai tregoi një revoltë të madhe ndaj narkoshtetit dhe Edi Ramës. Pra, qytetarët e thjeshtë janë të gatshëm t’i përvishen. Uroj që opozita këtë mesazh mbarë popullor që dëshmuan gjysmë milionë shqiptarë në atë protestë, ta lexojë dhe t’i përgjigjet me një frymë, me veprime të ardhshme”.