Berisha: Po ecet drejt finalizimit të reformës në drejtësi
Sot ish kryeministri prof. Dr. Sali Berisha priti në një takim zotin Thomas O’ Melia, ndihmës administrator i USAID për Europën dhe Euroazinë, i cili shoqërohej në këtë takim nga ambasadori amerikan në vendin tonëzoti Donald Lu.
Zoti Berisha shprehu falenderimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe USAID , për mbështetjen e madhe dhe ndihmën thelbësore që i kanë dhënë vendit tonë në qindra projekte të suksesshme, të financuara dhe zbatuara gjatë këtyre viteve, të cilat kanë ndryshuar shumë jetën e shqiptarëve . Zoti Berisha vlerësoi se mbështetja e USAID për Shqipërinë është e pazëvëndësueshme ndaj dhe shprehu mirënjohjen që USAID vazhdon ende të mbështesë vendin tonë në të gjitha fushat në përpjekjen e shqiptarëve për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e ekonomisë së tregut, institucioneve etj.
Në këtë takim u diskutua për reformën në drejtësi, për të cilën zoti Berisha shprehu falenderimet për mbështetjen e ambasadorit Lu dhe të qeverisë amerikane për këtë reformë, e cila, theksoi ai, është jetike për vendin dhe progresin e tij drejt BE. Zoti Berisha u shpreh se reforma u shty dhe u ngadalësua shumë pasi Edi Rama, duke i bërë vendit një dëm shumë të madh, refuzoi konsensusin dhe doli me tezën se në Shqipëri nuk është punuar ndonjëherë me konsensus , në një kohë që çdo reformë e madhe në këtë vend, në këto 25 vite, është bërë vetëm me konsensus.
Zoti Berisha theksoi se tashmë palët janë ulur dhe po punojnë me njëra tjetrën dhe shprehu besimin se do ecet drejt finalizimit të saj.
Në këtë takim zoti Berisha theksoi se problemi më kardinal me të cilin sot bërballet vendi është krimi, krimi i lidhur me nivelet më të larta të qeverisë, i cili po rrënon çdo ditë reputacionin e Shqipërisë dhe që kërcënon si stabilitetin e vendit ashtu dhe progresin drejt BE-së.
Në këtë kontekst, zoti Berisha e njohu ndihmës administratorin e USAID për Europën dhe Euroazinë me ngjarjen më të fundit, ku javën e kaluar, autoritetet grekë, së bashku me DEA-n, duke hetuar një grup të fuqishëm trafikantësh gjetën se bosi i tyre, të cilin ata e quajtën Eskobari i Ballkanit, ishte drejtor në një ministri të qeverisë. Autoritetet policore shqiptare, pas këtij lajmi, u thanë shqiptarëve se prej disa muajsh, ata, së bashku me partnerët, po e hetonin këtë rast ndërkohë që Klement Balilit i dhanë të gjitha mundësitë për të ikur nga Shqipëria, dhe pasi përcollën jashtë vendi u thanë se nuk kishte asnjë problem.
Zoti Berisha theksoi se bashkëpunimi i qeverisë me krimin është i qartë si kristali në shumë e shumë raste, ndër ta rasti i Arben Frrokut dhe Emiljano Shjullazit, për të cilët ambasadori amerikan u detyrua të denoncojë publikisht qënien e tyre të lirë, por ata ishin të lirë sepse Edi Rama me konceptin e krimit të dobishëm nuk lejonte arrestimin e tyre. Ndaj dhe bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit me qeverinë amerikane është jashtëzakonisht i rëndësishëm, u shpreh zoti Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

