Berisha pranon gabimin që bëri me Bashën në 2017
Për situatën ku ndodhet PD-ja, Sali Berisha pranon pjesën e tij të fajit. Në një takim me demokratët në Durrës në kuadër të turit ”Foltorja”, ish-kryeministri tha se në 2017 kur i kërkoi Lulzim Bashës që të jepte dorëheqjen, duhet të kishte nisur edhe një proces që nuk e bëri.
”Përgjegjësia absolute i përket atij që ishte në timonin e PD-së, por në këtë dështim, Sali Berisha ka pjesën e tij të pamohueshme, ndaj unë jam këtu për t’u kërkuar ndjesë dhe për të shpjeguar se ku ishte gabimi im, cilat ishin gabimet e mia në këtë ecuri.
Jam përpjekur me gjithë forcën time që të kontribuoj me këshilla, sikundër jeni dëshmitarë se kam qëndruar nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë kundër rekordeve të zeza të qeverisë aktuale të Edi Ramës, kam mbrojtur interesat e demokratëve dhe të shqiptarëve kam mbrojtur interesin kombëtar.
Unë i kërkova Lulzim Bashës që të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve të vitit 2017, pasi humbje të atillë nuk kishim njohur as në vitin 1997, por nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte të gjithë përgjegjësitë për atë humbje të tmerrshme. Unë nuk mund të futesha pa asnjë projekt dhe kjo më pengonte mua”.