Berisha prezanton kandidatin në Vlorë: Të dalim nga kjo përgjumje, të bëjmë gjithçka
Pasditen e kësaj të premteje, Sali Berisha prezantoi kandidatin për bashkinë e Vlorës, Hysni Sharrën. Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të dalin nga “kjo përgjumje” siç e cilësoi ai dhe të bëjnë gjithçka për të ndryshuar situatën.
”Kam ardhur sot tek ju, me bindjen më të thellë se të gjithë ne me një brengë të thellë shohim se si Vlora, Shqipëria pakësohen çdo ditë, javë, muaj para syve tanë. Se si Vlora kjo mrekulli e pa përsëritshme e natyrës, kjo trevë e njerëzve të fortë, trima të guximshëm, braktiset çdo javë, çdo muaj nga banorët e saj. Po këtë fat ka Shqipëria.
Në 8 vite 40 % e vlonjateve janë larguar nga Vlora, në 8 vite 35 % e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu çdo të mbetet pas 8-16 viteve të ardhshme. Por cila do të jetë përgjegjësia jonë para vetes, fëmijëve tanë, por edhe para të gjithë atyre që u shkrinë, u sakrifikuan, që ne sot të jemi komb dhe të jemi këta që jemi sot të lirë.
Do të jetë e pafalshme. Thirrja ime është të dalim nga kjo përgjumje, thirrja ime është të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Vlora ka kapacitete edhe 5 herë më shumë se banorët e saj, po ta marrësh nga Sevasteri në Karaburun, Himarë, Novoselë dhe me radhë. Vlora në këtë territor ka çdo mrekulli që ka natyra. Por Vlora kërkon sot, rënkon sot, na fton ne sot të ndalim këtë rrokullisje”,-tha Berisha.