Berisha: Projekti për Portin e Durrësit gjobit Shqipërinë me 2 miliard euro!

Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat u shpreh se projekti për Portin e Durrësit është një aferë e madhe korruptive, ku ai dhe njerëzit e tij sipas Berishës do të përfitojnë 90%, ndërsa shtetit do t’i jepet vetëm 10%.

Kreu i PD në një konferencë me gazetarët premtoi se ai projekt nuk do të realizohet. Teksa bëri një krahasim Berisha u shpreh se nëse tek Veliera fitimi ishte disa milion, tek Porti i Durrësit është disa miliard.

Sipas Berishës, kjo është aferë më skandaloze në histori dhe që Partia Demokratike po merret seriozisht me këtë.

“Janë që të gjithë një abuzim i madh, një vjedhje e madhe dhe në mos gabohem në një takim para kësaj unë kam shprehur se afera e Portit të Durrësit është një aferë që vetëm toka është mbi 3 mld euro, pa llogaritur sipërfaqen e ndërtimit mbi të. Një aferë që Rama e ka ndërmarrë kryekëput për xhepat e tij, për pasurimin e tij. Një aferë për të cilën nuk është pyetur asnjë qytetar i Durrësit. Një aferë për të cilën janë shkelur të gjithë rregullat kombëtaret dhe ndërkombëtare të tenderimeve. Një aferë që Rama fiton 90% dhe i japin shtetit shqiptar 10%. Një afere që nuk do realizohet. Një aferë që gjobit Shqipërinë me ndërtimin ndoshta 2 mld euro të një porti të ri se do Zoti Rama me anturazhin e tij të ndërtojë Dubain e vetë në portin e Durrësit. Pra ajo është afera më skandaloze në historinë e këtij vendi dhe ne po merremi po e ndjekim cdo ditë, por aferë si ajo unë rikujtoj këtu se nëse për velierën famoze filloi në 2016 dhe nuk po përfundon.

Nëse tek veliera fitimi është disa milionë, në portin e Durrësit është disa miliard dhe nuk do ta humbasë, por nuk do ta fitojë kurrë. Asnjë pushtues nuk i ka lejuar vetes një qëndrim të tillë. Asnjë pushtues nuk ka marrë mundimin të asgjësoje portin e Durrësit, përveç faktit që ky port është strategjik për vendin”, tha Berisha.

SHKARKO APP