Berisha protestë gjatë samitit të BE, Gjekmarkaj: Ditë e gabuar. Qeveria do e quajë PD si anti-europiane
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, thotë se data 6 dhjetor e cila është zgjedhur nga Sali Berisha për të protestuar, për të është e papërshtatshme. Ai thotë se gjatë samitit të BE-së që do të mbahet në Tiranë, qeveria Rama do fitojë pasi do e cilësojë opozitën si anti-europiane.
”Kjo qeveri me arrogancën që karakterizon duhet të përballet me protesta. E kuptoj qëllimin për të marrë vëmendjen e ndërkombëtarëve, por është dita e gabuar për ta bërë. Do të ushqente më shumë propagandën e kësaj qeveria kundër opozitës duke e cilësuar atë si antieuropiane. Mund të protestohej një ditë para ose një ditë më pas”, tha ai për ”News 24”.
Do të mbështesni kandidatët e Alibeaj apo primaret?
Unë jam tek PD dhe do të mbështes kandidatët e PD. Kur të mos jem tek PD do t’u them se nuk jam aty. Kam detyrim moral të mbështes kandidatët e PD. Për momentin situatën në PD e shoh me tone dramatike se është ende e përçarë. Njerëzit kanë të drejtë të përfaqësohen edhe ata që mendojnë ndryshe nga Berisha dhe ato që e mbështesin.
A janë vendimtare për opozitën zgjedhjet?
Zgjedhjet në vetvete janë vendimtare, qoftë kur janë lokale apo jo. Janë shumë të rëndësishme. Do të tregojnë natyrën se si funksionon opozita. E vetmja rrugë është vota dhe nuk ka shteg tjetër ku kalohet.