Berisha: Qëndrimi im s’ka të bëjë me rezultatin, por me standardin

 

Pas reagimit në “Facebook”, ku i bëri thirrje ndërkombëtarëve për të mos përligjur zgjedhjet, ish-kryeministri Sali Berisha foli në një lidhje të drejtpërdrejtë në Top Channel.

“Qëndrimi im nuk ka të bëjë me rezultatin e këtyre zgjedhje, por me standardin e tyre. Cilido që mund të rrëzojë  secilën nga pikat që unë kam shtruar do e pranoj me kënaqësi. Mund të garantoj qytetarët se në këshillat bashkiak ka kriminel të tmerrshëm, ka nga ata që lajnë parat e drogës e prostitucionit. Krimi triumfoi mbi ligjin. Si mund të përligjen këto zgjedhje?”, tha Berisha.

Ai foli edhe për fushatën, ku e cilësoi atë si më pompozen në historinë e vendit. “Infrastruktura e institucioneve u vu në funksion të maxhorancës. U krijua një pabarazi e pa imagjinueshme”, tha Berisha.

Sali Berisha e kritikoi Kryeministrin e vendit edhe për rastin “Becchetti”. Ai tha se Kryeministri Rama sekuestroi një televizion kritik ndaj qeverisë. “Çdo transaksion edhe mund të jetë larje parash, por ja që në këtë rast nuk rezultoi kështu. Edi Rama ka kontroll të plotë ndaj Prokurorisë”, akuzoi Berisha.

Pavarësisht akuzave për prishje të procesit dhe thirrjes ndaj ndërkombëtarëve për mos njohje të zgjedhjeve, ish-kryeministri Berisha i bëri thirrje Partisë Demokratike të mos bojkotojë procesin. “Ky është dallimi ynë me këta zotërinj. Ne nuk bojkotojmë”, tha Berisha. 

SHKARKO APP