Berisha: Qeveria e Ramës e bazuar në skandale. PD ka qenë mes dy alternativave
Këtë të dielë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference të organizuar në kuadër të zgjedhjeve vendore, tha ndër të tjera se qeveria e Edi Ramës është e bazuar në skandale. Për të PD-ja ndodhej para alternativë të ekzistonte apo të shkrihej. Për kreun e selisë blu, PD duhet të ekzistojë sepse mbi 620 mijë shqiptarë e votuan në zgjedhjet e fundit.
“PD ndodhet dhe kaloi në një proces më të vështirin që mund të përshkruhet. Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe kjo absolutisht jo për merita të qeverisë, por për dobësinë e opozitës, sepse ne këtu kemi pasur dhe kemi një qeveri që mund të përmblidhet me dy fjalë: “Scandal based government”. Qeveri e bazuar në skandale”.
Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës, në një mënyrë ose tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite, dora e qeverisë u shtri mbi opozitën. Dhe tek shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita si të thuash, i bën fresk atij.
Në këtë kontekst, PD ndodhej para alternativës “To be or not to be” Të ekzistonte apo të shkrihej. Por unë mendoja dhe mendoj se duhet të ekzistonte, sepse mbi 620 mijë shqiptarë e votuan në zgjedhjet e fundit. Por ajo që duhet të ekzistonte, duhej të ndryshonte në mënyrë rrënjësore, të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar përndryshe ata nuk kanë asnjë arsye të na besojnë ne”.