Berisha: Rama-Meta kanë frikë ta çojnë në Kushtetuese Koço Kokedhimen
Kuvendi pritet të votojë sot lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, ku kërkohet heqja e mandatit të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.
Ndërkohë jashtë tij, ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se çështja duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese pasi Kuvendi nuk heq mandate.
“Kuvendi është i detyruar të votojë për ta dërguar në Kushtetuese. Rama e Meta kanë frikë se Kushtetuesja ia heq mandatin Kokëdhimës” tha Berisha duke i akuzuar se fshehin pasuritë e deputetëve të tyre.
PD akuzon Kokëdhimën se po ushtron mandatin në kundërshtim me ligjin.
I mbledhur një ditë më parë, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve vendosi që në seancën e sotme të votohen dy raporte të ndryshme, ku shprehet mendimi i të dy palëve në Kuvend. Mazhoranca kërkon që parlamenti të mos e pranojë kërkesën e PD-së, ndërsa opozita përfundimin e mandatit të deputetit socialist.
Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon dhe diskutimin e disa pr/ligjeve me natyrë ekonomike, ku veçohet “Caktimi i procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “CHINA STATE CONSTRUCTION COMPANY”.