Berisha rikthehet në seli, tregon rekordin që ka thyer: Shtruam rrugën drejt pushtetit

Pas gati 11 muajsh, Sali Berisha u rikthye këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike, pasi gjykata i hoqi masën ”arrest shtëpie”. Gjatë fjalës mes qindra mbështetësve, Sali Berisha tha gjithashtu se gjatë vitit që ka qëndruar në ”arrest shtëpie”, ka thyer rekordin për numrin më të madh të fjalimeve.

”Sot nuk fitoi Sali Berisha, sot fitoi e vërteta. Sot ka fituar Shqipëria. Këtë vit unë kam thyer rekordin në numrin e fjalimeve, rreth 330 të tilla. Tani e tutje veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Ka ende disa mesazhe që duhet t’u themi shqiptarëve. Dua të falenderoj çdo shqiptar dhe familjen time që mori një dozë të madhe të kësaj vuajtjeje”, tha Berisha.

Ai u prit në seli nga qindra qytetarë, ndërsa mbajti një fjalim para tyre. Sali Berisha u shpreh se tashmë është shtruar rruga për të sjellë PD-në në pushtet. ”Ne i fituam betejat dhe kjo vetëm fal jush dhe miqve tanë. Sa fitore arritëm këtë vit. E kemi shtruar rrugën që do të sjellë PD-në në pushtet dhe opozitën shqiptare. Na përçanë e u bashkuam. Të gjithë deputetët sot janë bashkë, janë në këmbë. Na hodhën barin, ua kthyem në grazhd. Na vodhën flamurin, por ne e rifituam atë. Na izoluan, por ne sot kemin përkrahjen më të madhe që kemi pasur ndonjëherë”.

Në fund, Berisha kërkoi edhe njëherë qeverinë teknike, duke thënë se është rruga e vetme për kryeministrin. ”Rama ka vetëm një rrugë, qeverinë teknike. Pse ka frikë Rama nga vota e lirë. Sot ishte një fitore, por kemi akoma shumë punë përpara”.

SHKARKO APP