Berisha shigjeton grupin e Alibeajt: Janë patericë e kryeministrit, “pallat Kapllani” me 90 tendera nga qeveria
Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se kreu i qeverisë do të jetë në këto zgjedhje vetëm me dy patericat e tij, siç i quajti ai, ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kreun e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
Duke folur në mbledhjen me një pjesë të deputetëve demokratë, Berisha tha se kandidatët e Alibeajt në këto zgjedhje janë të financuar nga qeveria. Ai përmendi kandidatin e Mallakastrës, që sipas Berishës ka marrë mbi 90 tendera nga qeveria.
Pjesë nga fjala e Berishës
Po kundërmon erë në mbarë Europën. Përpjekjet e Ramës për të shkuar i vetëm në këto zgjedhje dhe për të përjashtuar opozitën e vërtetë nga zgjedhjet, morën fund. Ai dështoi me turp. Opozita finalizon në orët që vijnë koalicionin e fuqishëm me të cilin i jep Edi Ramës dhe monizmit të tij goditje fatale në 14 maj. Ai mbetet në koalicion vetëm me Alibashën dhe Lulbravën. Një gjë do t’u them demokratëve: nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Ramës. Çdo qytetar, çdo demokrat duhet të angazhohet dhe të bëjë gjithçka për fitoren e opozitës dhe disfatën e Ramës. Të mbështesësh një njeri i cili nxin me emrin e tij sot kudo në Botë, zgjedh që të nxish veten tënde. E sigurt që Rama do ketë fatin e McGonigal, sepse krim nuk kryen vetëm ai që merr, por krim kryen edhe ai që jep.
Të marrësh përsipër për të kandiduar vetëm për të dëmtuar opozitën, vetëm për të ndihmuar Edi Ramën, kjo përbën një akt shumë të rëndë personal. Unë nuk mund të kem besim se “pallat Kapllani” që ka marrë mbi 90 tendera nga qeveria, nuk mendoj se nuk do t’i zbatojë urdhrat. Kam besim që qytetarët do t’i trajtojnë këta si paterica të Edi Ramës.
Sot gazeta më e lexuar në Europë ia numëronte të gjitha të zezat që i ka bërë këtij vendi. Te qytetarët ka një pakënaqësi të gjithanshme, ka një ndërgjegjësim të plotë se Edi Rama e ka konsumuar me turp kohën e tij. Axhendat po i rrokullisen, por rrokullisjen e plotë duhet t’ia japin shqiptarët dhe ta bëjnë sa më shpejt të përshtatshëm për ligjet dhe Kodet Penale në Shqipëri dhe SHBA.
Pasi u zbulua koalicioni për 14 majin, Berisha shfaqet optimist: Turi më i zjarrtë i karrierës sime politike
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot grupin e tij të deputetëve.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë, Berisha u shpreh entuziast për këtë fushatë, që sipas tij është turi më i zjarrtë i karrierës së tij politike. Ai tha se ka një klimë të shkëlqyer në mbarë vendit, në mbështetje të opozitës.
“Një klimë e shkëlqyer është sot në mbarë vendin në mbështetje të opozitës. Ky është turi më i zjarrtë, më entuziast i të gjithë karrierës time politike. Dua t’u informoj juve se zjarri, entuziazmi, besimi në futore është më i madh se çdo herë tjetër. Demokratët dhe demokratët, qytetarët e thjeshtë janë në mobilizim të paparë për t’i dhënë Shqipërisë, vetes, të ardhmes së tyre, mbështetjen, ndryshimin që meritojnë. Kokat e gjarprit, kapot e Meduzës, midis dy termave, nuk ka asnjë dallim substancial në raport me krimin.”, tha Berisha.
Në limitet e afateve ligjore për të regjistruar koalicionet, opozita pritet të dorëzojë sot në KQZ marrëveshjen mes disa forcave politike që do të përbëjnë edhe koalicionin opozitar. Deri tani janë të paktën katër parti të kampit të djathtë që do të jenë pjesë e koalicionit ku do të futen edhe kandidatët e Primareve të Sali Berishës. Partia e Lirisë e Ilir Metës, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules, Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Partia Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit do të jenë katër forcat politike, pa përjashtuar edhe parti të tjera që mund të bashkohen deri në mbrëmje, që do të përbëjnë koalicionin opozitar.