Berisha shkon në Shkodër, atje ku humbi thellë bashkinë: Mosbindja civile do jetë si vullkan. Rama nuk ma mbyll gojën
Nga Shkodra, ku pësoi humbjen më të thellë në 32 vite demokraci, Sali Berisha zhvilloi një takim, ku foli në lidhje me vendimin për mosbindje civile nga ana e opozitës. Berisha tha se sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu.
Berisha u ndal tek kërkesa e SPAK-ut për autorizim nga Kuvendi për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij në arrest me burg ose arrest shtëpie, duke theksuar se kryeministri Edi Rama mendon se duke vendosur në arrest atë, do mund t’ia mbyllë gojën.
“Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë. Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër. Shkodra ka qenë në kohërat më të vështira, epiqendra e qëndresës njerëzore për liri, dinjitet dhe vlera”, tha Berisha.