Berisha shpërthen ndaj Vuçiçit: Akt zuzar i Serbomadhit! Shkel marrëveshjen pa iu tharë boja

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç se po shkel marrëveshjen e Uashingtonit që ai nënshkroi para Presidentit Donald Trump për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën.

Reagimi i Berishës

Akt zuzar i Serbomadhit Vuçiç!

Ai shkel marrëveshjen pa iu tharë boja.

Presidenti serbomadh Aleksandër Vuçiç, ish-çetniku i Sheshelit dhe Geobelsi i Millosheviçit, dëshmoi se nuk njeh ligj as dhe moral, por është skllav i psikologjisë së tij primitive të serbomadhisë.

Ai, me datën 4 shtator, në një moment historik u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, në Zyrën Ovale dhe firmosi në prani të tij marrëveshjen në një nen të së cilës ai zotohet se Serbia do të ndalojë për një vit fushatën kundra njohjeve të Kosovës, dhe në reciprocitet Kosova do ndalojë për një vit përpjekjet dhe lobimin për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Por pa iu tharë boja marrëveshjes, sapo u largua nga Uashingtoni faktoi primitivizmin e tij.

I verbuar nga suksesi i Kosovës me lajmin që dha vetë Presidenti Trump për njohjen e saj nga Izraeli dhe biseda që zhvilluan në prani të tij në Zyrën Ovale, midis Kryeministrit Hoti dhe Kryeministrit Netanyahu, deklaroi dje se ka telefonuar kryeministrin Netanyahu për të bllokuar njohjen e Kosovës.

Ky është një akt zuzar me të cilin ai shkelmon marrëveshjen e firmosur prej tij dy ditë më parë. Një akt të tillë nuk e bëjnë kurrë njerëzit e qytetëruar, për të cilët parimi pacta sund servanda nuk mund të vihet në diskutim, por atë e bën pa u skuqur serbomadhi Aleksandër Vuçiç, ish-çetniku i Sheshelit dhe Geobelsi i Millosheviçit.

Me këtë akt ai dëshmon qartë se është një armik i vendosur i paqes dhe stabilitetit në rajon.

SHKARKO APP