Berisha: Shullazi i dërgon SMS nga qelia Saimir Tahirit
Gjatë debatit sot në Kuvend, ish-kryeministri Berisha lexoi nga foltorja e parlamentit një mesazh që sipas tij ia kishte nisur një gardian i burgut 302 ku po mbahet Emiljano Shullazi.
Sipas këtij mesazhi, ministrit Saimir Tahiri i kishte shkruar nga qelia Emiljano Shullazi, i cili ka frikë se arrestimi i tij ka ardhur nga Policia e Shtetit dhe jo nga Prokuroria.
“Gardiani dixhital: Jam roje te paraburgimi i Emiljano Shullazit, ju garantoj se mesazhi i Saimir Tahirit për të përgënjeshtruar Edi Ramën ia ka dërguar direkt Emiljano Shullazi, i cili ka dyshimet më të mëdha se ia ka bërë policia i cili nuk beson se ajo ishte një grackë e prokuroisë siç e paraqesin mediat, pasi kërcënoi Saje Qorrin se do të nxirrte gjithçka për të”, tha Berisha më Kuvend.
Nisur nga kjo, ish-kryeministri i kërkoi prokurorit të përgjithshëm të hetojë thirrjet telefonike dhe mesazhet elektronike të Emiliano Shullazit dhe Saimir Tahirit.
“I bëj thirrje prokurorit, të sekuestrojë të gjithë trafikun e thirrjeve dhe mesazheve të komunikimit të Emiljano Shullazit, të gardianëve, të Saje Qorrit dhe Emil Shullazit. Me këtë rast, Prokuroria do të gjejë një nga çelësat e të vërtetave mbi Shullazin. Rama tha këtu se kemi kërkuar përgjimin e tij, por nuk mund të binte Prokuroria në kurthin e tij. Në fakt Rama ra në kurthin e Prokurorisë dhe shërbimit sekret me rrëzimin e kërkesës. A e pyetët veten si ka mundësi që Saje Qorri të përgënjeshtroi në mënyrë flagrante Edi Ramën, ku tha se Shullazin e arrestoi Policia”, deklaroi Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

