Berisha takim me demokratët në Sarandë: PD nuk do ta pranojë kurrë tjetërsimin e Parkut të Butrintit
Sali Berisha ka prezantuar pasditen e kësaj të hëne kandidatin e koalicionit ”Bashkë Fitojmë” për bashkinë Sarandë. Në fjalën e tij para demokratëve, Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku. Ai e cilësoi ministren si hajduten më të madhe në Ballkan. Ish-kryeministri premtoi edhe se Partia Demokratike nuk do të lejojë tjetërsimin e Parkut të Butrintit.
“Balluku është hajdutja e dytë më e madhe në Ballkan, pas Edi Ramës. E them unë këtë sepse ajo zbraz digat, pasurinë tuaj publike gjithë verën në një kohë kur ligji nuk e lejon, ua shet energjinë sekserëve të saj të cilët e risheshin në bursë dhe këto i fut ajo në xhep.
Kush mund të dyshojë për këtë? 3 javë më parë inaguruan bursën me ndërhyrje të fortë ndërkombëtare dhe doli na tha se tani energjia do shitet në bursë, përsëri shitet jashtë burse, përsëri me sekserë. U bëj thirrje demokratëve të Konispolit t’a filmojnë valixhet dhe çamëve të Konispolit u them se ajo do të ishte njeriu i fundit që mund të shkelte në Konispol.
Këto janë vetëm një aspekt, këta kandidatë nuk dalin të ballafaqohen. Hajde tregoju sarandiotëve si e bëre atë hotelin ti, me çfarë parash, nuk vjen sepse i duhet të tregojë të gjitha lidhjet. Ndërsa kandidatët tanë mund të dalin dhe të përgjigjen. Kandidati i Delvinës sikur është rritur në ishullin e drogës. A ka një krahasim? Unë e ftoj Edi Ramën, hajde urdhëro bujrum, të dalim para qytetarëve në çdo studio televizive, në çdo shesh”,-tha Berisha.