Berisha: Territorin në Shqipëri e kontrollon krimi i organizuar
Ish kryeministri Berisha ka përcjellë reagimin e tij në Facebook sa i takon sulmeve me tritol, për të cilën policia mendon se mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Referuar këtyre sulmeve, Berisha i bën thirrje Prokurorisë, të hetojë këto krime dhe të vendosë autorët para ligjit.
“Mëngjes tritolesh dhe terrori në Tiranë! Tirana u gdhi përsëri e tronditur nga tre shpërthime tritoli.Kësaj here jo nga Kostandini i Partisë, por nga goditje që mesa duket mafia e ilaçeve i bëri Bashkimit të ilaçeve të Partisë.
Sot, herët në mëngjes, objekt i tritoleve të radhes ishin farmacia e të atit të Sajmir Tahirit, që në më pak se nje vit, me ndihmen e të birit u bë “big” në fushën e ilaçeve, objekt tjetër ishte banesa private e një ish komisari policie, ndërsa tritolin e tretë e eksplodoi vetë Policia në një stacion autobuzi.
Mëngjesi i tritoleve dëshmon dhe një herë se në Shqipëri territorin e kontrollon krimi i organizuar, i cili me lehtësi godet kudo, këdo dhe në çdo skaj të këtij vendi. Imagjinoni ju sa mund t’ju mbrojë ju sot Edi Rama dhe sejmeni i tij Tahiri.
Vetëm dy ditët e fundit janë ditë të marrjeve peng, të tritoleve, pa llogaritur këtu mbi 20 vetura të vjedhura dhe mbi 48 banesa të thyera. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këto krime dhe të vendosë autoret, sponsorët e tyre para ligjit!”, shkruan Berisha.
Berisha nuk është ndalur me kaq, pasi në mesazhin e radhës është ndalur në sekuestrimin e pallatit 11 katësh në Vlorë.
“Arrestohet” pallati për të cilin u arrestua Shpëtim Gjika!!
Të dashur miq, urrejtja e Edvinit ka kufij vetëm qiellin! Pasi Gjykata liroi armik Gjikën, të arrestuar për dyshime, Rama urdhëroi prokurorët e Vlorës të arrestojnë, po me dyshime, pallatin e ndërtuar, sipas dyshimeve të tyre, me dokumenta fallso.
Arrestimi i pallatit është thjesht akt politik dhe qesharak, pasi ai nuk ikën dhe as nuk mund të fallsifikojë katet. Arrestimi i pallatit u bë pra vetëm për të qetësuar tronditjen e thellë psiqike që pësoi Rama nga puçi i Nasipit!!”, përfundon ai.