Berisha: Tom Doshi është lule para Edi Ramës! Fatos Nano të sqarojë takimin me Millosheviçin në Kretë
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi edhe deklaratën e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, e cila kërkoi që persona si Tom Doshi të mos kandidohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sali Berisha u shpreh se Doshi me të vërtetë që ka një parti tjetër, por ai është pjesë e PS-së. Ai shtoi se në PS ka persona me më shumë rekorde se Tom Doshi, duke përfshirë këtu dhe emrin e kryeministrit Rama.
“Të pretendosh se Tom Doshi nuk është pjesë e PS-së është njëlloj si të pretendosh që janë gjetur eskimezë në shkretëtirë. Edi Rama kur pati sherr Doshi me Metën thirri ambasadorët dhe tha ky po kalon tek opozita. Është e vërtetë që Doshi ka një parti të tij, por nuk ia ka kursyer kurrë votën Edi Ramës. Ai është një mekanizëm që Rama i garantoi atij hyrjen në parlament. Por them prapë që Toma është lule me atë që është Rama”, tha Berisha.
Fatos Nano
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj Fatos Nanos, i cili pak ditë më parë u shpreh se ish-kreu i PD është fajtor për problemet që ka kaluar Shqipëria.
Për Berishën, Fatos Nano doli si një papagall i Edi Ramës. “Keqardhje që doli si një papagall i Ramës, por bëri zgjedhjen e tij. Nuk mund të komentoj më shumë. Për mua, i trishtë ishte fakti që ai mbante pikëpamjet e etërve të tij për opozitën, së bashku me Ramën, Ramiz Alinë, tmerri konsiderohej opozita, por këto janë koncepte strikte marksiste-leniniste”.
Më tej, ai kërkoi nga Nano të sqarojë një takim, të pretenduar nga Berisha, mes tij dhe Sllobodan Millosheviç në Kretë.
“Theksoj se ai duhet t’u japë një përgjigje shqiptarëve, duhet të sqarojë takimin 90 minuta me Millosheviçin në Kretë. Këtë jam përpjekur t’ia çoj edhe nëpërmjet të tjerëve, të tregojë çfarë ishte ai takim kur shqiptarët përjetonin vuajtjet nga serbët në Kosovë. Kanë avulluar një shishe uiski së bashku.
Për dinjitetin e tij që ka qenë kryeministër, duhet t’u tregojë shqiptarëve për atë takim dhe të mos dalë nga arkivat e Beogradit”, tha Berisha.
Drejtësia e re
Sali Berisha ka lëshuar akuza të ashpra ndaj institucioneve të reja të drejtësisë të ndërtuara, dhe atyre që po ndërtohen pas procesit të vetingut, duke e konsideruar drejtësinë e re si të ndërtuar mbi racizmin krahinor dhe në shërbim të partisë.
Ai komentoi dhe arrestimin e gjykatëses së Krujës nga SPAK, por nuk e konsideroi atë një sukses të madh, duke shtuar se politikanët kanë prekur mekanizmin elektoral dhe nuk kanë hasur asnjë problem me drejtësinë.
“Kam votuar ndryshimet e reformës me shpresën se qytetarët do të merrnin drejtësinë që meritojnë, por u kalua në drejtësinë e partisë. Sot, përzgjedhja për shkak të vetingut nga lart-poshtë, përzgjedhja është politike, siç dëshmoi Komisioni i Venecias, në raportin e tij për reformën.
Duke mbështetur çdo akt të zbatimit të ligjit, nuk mund të pranoj si sukses të madh dënimin e një gjykatëseje që e meriton plotësisht, e cila është po aq kriminele sa kriminelët që ka liruar, në një kohë kur politikanët i kanë prekur këtij vendi mekanizmin elektoral, kalojnë nga SPAK-u pa i hyrë “ferra në këmbë”. Drejtësia është ndërtuar e gjitha mbi racizmin krahinor, mbi parimin ideologjik të drejtësisë për partinë”, u shpreh Berisha.
Menaxhimi i pandemisë
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës në A2, ku foli rreth zhvillimeve më të fundit në vend, duke përfshirë këtu pandeminë dhe zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen, më 25 prill.
I pyetur për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, ish-kreu i demokratëve përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij duke akuzuar qeverinë se po e menaxhon atë vetëm me mashtrime dhe aspak transparencë.
“Fillimisht e quante një gjë të zakonshme, më pas kaloi në strategji horrori, duke iu thënë shqiptarëve se do të shohim male me kufoma dhe se nuk do gjejmë një pëllëmbë tokë për varre, se do na e djegë mishin si murtajë. Konstatova se nuk u bë asnjë përgatitje, por vetëm mashtrim me maskat, testet, respiratorët, kapacitetet. Në një mënyrë paranojake, forca shtypëse e shtetit u përdor për të terrorizuar qytetarët duke nxjerrë tanke. Iu tha shqiptarëve se unë jam Zoti”, tha Sali Berisha, në A2.
Më tej, ish-kryeministri Berisha insistoi se numri i viktimave nga koronavirusi është fshehur, dhe këtë, sipas tij, e tregojnë dhe të dhënat e vdekshmërisë.
“Dua të theksoj se pandemia në Shqipëri mori jetë njerëzish, më shumë se në çdo vend tjetër të botës, përveç Meksikës dhe Perusë. Në 2021, ka një revansh dhe më të egër. Konstatova se njeriu, i cili sot quan 6049 viktima më shumë të vitit 2020 sesa në vitin 2019 ose mesataren e viteve 2015-2019, në fund shpalli botërisht se ishte më i miri. Treguesi i vdekshmërisë është themelor i shëndetit publik. Ky tregues është nga më konstantët. Lëvizjet nga një vit në tjetër përveç pandemive janë shumë të vogla. Sipas “The Economist”, Greqia fqinje ka një vdekshmëri shtesë 7 herë më të ulët se Shqipëria. Franca, Italia kanë një vdekshmëri shtesë 2 herë më të ulët se Shqipëria”, përfundoi Berisha.