Berisha tregon rrugën: Opozita të hartojë Librin e Zi të zgjedhjeve dhe ta dërgojë urgjentisht në institucionet më të larta të BE-së, SHBA-së, NATO-s dhe në Strasburg
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pasi Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një mesazhi në në rrjetet sociale, ndërsa dikton rrugën që duhet të ndjekë Opozita në ditët në vijim, Berisha thekson se 25 prilli është ditë e zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri, pasi zgjedhjet nuk ishin demokratike. Sipas tij, vota e shqiptarëve u ekzekutua para se të hidhej në kuti.
“25 prilli, ditë e zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri! Zgjedhjet jo demokratike! Mandat mbi drogën, krimin, blerjen dhe abuzimin me pushtetin! Vota e lirë e shqiptarëve u ekzekutua para se të hidhej në kuti! Të dashur miq, zgjedhjet, apo më saktë farsa e tyre përfundoi. Gjatë fushatës dhe këto ditë më është rikujtuar viti 2000. Në tetor do zhvilloheshin zgjedhjet lokale. Ish-presidenti Xhimi Karter dërgoi nga Qendra e tij, që në gusht të atij muaji, një mision faktmbledhës për të marrë përsipër vëzhgimin e zgjedhjeve. Misioni i Presidentit Karter pas dy javë qëndrimi u largua nga Shqipëria dhe vendosi të mos i vëzhgonte zgjedhjet, pasi konstatoi se qeveria socialiste i kishte ekzekutuar ato para se të zhvilloheshin. E njëjta gjë ndodhi pas 20 vitesh me zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Vota e lirë e shqiptarëve u dhunua para se të hidhej në kuti për arsyet që vijojnë. 1- Nga droga: Viti 2020, pra viti para zgjedhor ishte viti në të cilën me ftesë të kreut të narkoshtetit, Shqipëria u mbulua me kanabis de juro medicinalis, kurse de facto “electoralis”. Në këto zgjedhje, më shumë se në të gjitha tjerat vetëm droga medicinale u kthye të paktën 12 mandate dhe mandatet do kthehen në drogë. 2- Narkoshteti: Në këto zgjedhje më shumë se në çdo fushatë tjetër narkoshteti u shndërrua në makineri elektorale të Kreut të Meduzës. Parlamenti në shkelje të konsensusit të vendosur mes forcave politike bëri ndryshime kushtetuese ligjore, me të cilat favorizohej me disa mandate partia e qeverisë. KQZ, Kolegji, Policia e shtetit, Prokuroria dhe gjykatat e partisë në 98 % të vendimeve qëndruan besnike të palëkundura të partisë shtet. Po ndalem këtu vetëm në ngjarjen tragjike të Elbasanit. Banda e personave në shoqërim të Edi Ramës sulmoi shtazërisht e keqtrajtoi fizikisht para kamerave dhe në prani të bosit të tyre mbështetës të opozitës. Asnjë nga këta banditë nuk u penalizua nga policia, prokuroria e partisë, sepse duheshin të vazhdonin misionin tyre kriminal të terrorizimit të popullatës dhe blerjes së votës. Ndaj dhe me 21 Mars kjo bandë kishte dalë publikisht dhe e armatosur për blerje votash, gjë që solli përgjakjen e Elbasanit. Pas ngjarjes, narko-policia dhe narko-prokuroria fshehën në mënyrë kriminale provat që faktonin se në makina u gjetën materiale për blerje të votës. Përveç kësaj, dispozitat e Kodit Elektoral, por dhe nenet e Kartës së Kopenhegenit për zgjedhjet e lira që ndalojnë përdorimin e burimeve të qeverise dhe shtetit për ndikim në procesin zgjedhor, u shkelën me urdhra, ligje, vendime dhe akte të gjitha publike me qindra herë nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij. Nuk po ndalem këtu në përdorimin e mjeteve shtetërore dhe administratës për fushatë nga Edi Rama dhe ministra e narko-zyrtarët e tij, as tek qindra tendera dhe prokurime publike në funksion te zgjedhjeve, as në dhjetëra e dhjetëra inaugurime elektorale, por po jap këtu vetëm një fakt; Vetëm bashkia e Durrësit ka lëvruar pas datës 25 Mars transferta nga Thesari për individin (të dëmtuarit nga tërmeti) 83 herë më shumë se sa ka lëvruar nga 1 dhjetori i vitit 2019 deri më 25 Mars të vitit 2021. Pengmarrja e votës me të dhënat personale të qytetarëve! Dërgimi i të dhënave personale të mbrojtura me ligj dhe Kushtetutë në çdo vend demokratik të botës nga e-Albania në selinë e Partisë Socialiste përbën mega-krimin elektoral më të madhin në histori, përbën aktin më të rëndë pas burgosjes politike që një shtet mund të kryejë ndaj qytetarëve të tij. Ky akt de fakto shënon jo vetëm deligjitimin e zgjedhjeve, por edhe të shtetit bandit që kryen atë. Edi Rama pajisi patronazhistët e tij me të dhëna që dikur sigurimi i shtetit pajiste patronazhistët e partisë-shtet që të merrnin peng dhe të konfiskonin votën e qytetarëve shqiptarë. Po në këtë kontekst, narko-shteti me kontrollin e tij të rreptë ndaj mediave dhe blerjen e polleve për manipulimin e opinionit, shënon në çdo aspekt një rekord të zi në pabarazinë e paraqitjes së fushatës elektorale të palëve në garë. Kështu, me shndërrimin e narko-shtetit në makineri elektorale u asgjësua barazia midis palëve, kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të drejta, sipas standardeve ndërkombëtare dhe vota e lirë u fut në agoni. 3-Blerja e votës në zgjedhjet e 25 Prillit ishte më masive se kurrë më parë. Ajo u shndërrua në një treg pothuaj publik. Partia “Doshi” është vetëm një shembull i “industrializimit” të blerjes së votës për llogari të Edi Ramës, sepse makineria më e madhe e blerjes së votës e këtij mega-krimi elektoral qëndron në Partinë Socialiste. Kështu nga klanet Gjici, Frroku, Beqaj, Stërkaj, Ndreu, Ndreca, Malaj, Rraja, Ahmeti, Manstirliu, Balluku, Koka, Çyrbja, Balla, Gjiknuri, Braçe, Peleshi, Klosi, Çuçi, etj., janë shpenzuar për blerje votash me euro, ushqime, dhe favore të tjera së paku dhjetëfishi i shumave të shpenzuara nga Doshi për këtë qëllim. Me këto shuma janë blerë më së paku 10-12 mandate. Për të gjitha sa më sipër dhe të tjera për të cilat nuk po ndalem, dua të them se vota e lirë si shprehje e vullnetit të qytetarëve të lirë vdiq pa u futur në kuti, dhe natyrisht, në kuti nuk mund të kishte fat tjetër nga ai para kutisë. Në këto rrethana, me të drejtë shtrohet pyetja: A duhej opozita të ndiqte këtë farsë elektorale? Përgjigja ime është e prerë “Po”. Kjo, sepse ajo duhet t’i përmbahet e palëkundur parimit të saj themelor të ardhjes në pushtet me votën e qytetarëve, dhe së dyti duke mos marrë pjesë në zgjedhje ajo humbiste të drejtën për të qenë avokate e besueshme e votës së lirë tek shqiptarët dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtar. Kështu që pavarësisht nga të gjitha mendoj se ajo veproi drejtë që mori pjesë në këto zgjedhje. Duke mos mohuar rëndësinë e padiskutueshme dhe detyrimin e pashmangshëm e një analizë të thellë për nxjerrjen e përgjegjësive për rezultatin e këtyre zgjedhjeve nga cilido dhe të drejtën e pamohueshme të gjithseicilit për të kërkuar në gjë të tillë, mendoj se e një rëndësie jetike për qytetarët, opozitën, militantët dhe mbështetësit e saj që sakrifikuan aq shumë në këto zgjedhje, si dhe për vendin në tërësi është mbledhja, administrimi dhe sistemimi i çdo dokumenti, fakti, argumenti dhe përgatitja me seriozitet e objektivitet e Librit të Zi të zgjedhjeve jo demokratike të vitit 2021 në Shqipëri. Ky libër duhet në kohën më të shkurtër t’ju dërgohet institucioneve të shtetit njëpartiak, OSBE/ODHIR, misioni vëzhgues i të cilit ka bërë një raport paraprak të paanshëm dhe objektiv për këto zgjedhje. Libri duhet t’ju dërgohet dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare: Këshillit të Europës, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Kongresit të SHBA, Bundestagut, parlamenteve, ministrive të jashtme, qeverive të vendeve anëtare të BE dhe NATO-s dhe menjëherë për të gjitha shkeljet e tmerrshme të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të paprecedentë në historinë e Këshillit të Europës duhet drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kjo nuk është një betejë e lehtë, por nisur dhe nga precedenti është betejë që fitohet plotësisht. Zyrtarët, qeveritarët që qëndrojnë për votën e lirë mirëpresin Librin e Zi të zgjedhjeve 2021 të Shqipërisë si një përpjekje serioze, legjitime të opozitës shqiptare. Ky është një mision i lartë sa shqiptar aq dhe ndërkombëtar për të gozhduar para botës Lukadrogën e Shqipërisë dhe për t’ju rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, deklaroi dje në reagimin e tij ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha.