Berisha: Tritoli, kokaina dhe bandat po dominojnë shtetin
Ish-kryeministri Berisha e konsideroi të domosdoshme që gjatë seancës së sotme të Kuvendit të diskutohej për ngjarjet e fundit që kanë tronditur vendin, pasi sipas tij “tritoli, kokaina dhe bandat po dominojnë shtetin”.
“Sot Shqipëria u bë e famshme si Kolumbia e Europës, sot kur në dy ditë 3 makina hidhen në erë në shtetin e tritolit, sot kur ekonomia e vendit është në rrokullimën më të madhe, kur ushtrohet një terror i paparë mbi qytetarët shqiptare për energjinë, parlamenti nuk mund të flasë, vendoset në kod të heshtjes”- deklaroi Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit.
Sipas Berishës, pas terrorit të ushtruar ndaj qytetarëve për pagesat e prapambetura të energjisë, kryeministri Rama po përgatit gjobën e radhës, atë të matësave inteligjentë.
“Sot kur terrori me energjinë është i paimagjinueshëm, faturat vijnë 2-3 herë më të larta, faturat e paguara nuk njihen në mënyrë banditeske, Rama po përgatit gjobën e dytë të madhe të matësave inteligjente, që do të thotë se çdo qytetar shqiptar që paguan rregullisht energjinë më matësin, duhet ta ndërrojë atë vetëm se dikush përgatit xhepat për t’i fryrë me dhjetëra milionë dollarë, shteti hesht, parlamenti hesht.”- tha ai.
“Në vend që parlamenti të diskutojë në frymë të hapur për të gjitha këto probleme krerët e maxhorancës së qelbësirave kanë vendosur parlamentin në kodin e heshtjes që është dhe kodi i mafies. Ftoj qytetarët të mos nënshtrohen ndaj terrorit të energjisë. Të ngrihen fuqishëm se është një mynxyrë e madhe mbi shpatullat e tyre. U takon mësuesve të vendit të ngrihen fuqishëm, të mos iu nënshtrohen moralit të Lizave të qeverisë. Morali i tyre është i pastër. U takon mjekëve ti japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie, e cila me injorancën, urrejtjen e pakufishme i ka vendosur ata në terror”- përfundoi Berisha.