Berisha udhëheq protestën? Zbradhen skenarët e PD-së. Në terren RENEA, Shqiponjat dhe Garda

Për herë të parë, pas më shumë se 30 vitesh në politikë, Sali Berisha nuk do jetë fizikisht në një protestë që e thërret partia që ai krijoi. Por kjo nuk do të thotë se Berisha nuk do të flasë nesër (20 shkurt) në protestën e opozitës që do të zhvillohet në orën 17:30 para selisë së Kryeministrisë. Edhe pse është i izoluar në shtëpi që prej 30 dhjetorit 2023, mësohet se Berisha do flasë për protestuesit dhe kjo duke shfrytëzuar teknologjinë.

Dy janë skenarët që po shqyrton opozita, ose Berisha do të lidhet live me protestën nga dritarja e banesës së tij, ose mesazhi do të jetë i regjistruar. Ende opozita po diskuton emrat e politikanëve që do të mbajnë fjalim në protestë si dhe simbolikat që do të përdoren kundër qeverisë.

Nga ana tjetër, mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.

SHKARKO APP