Berisha voton dhe denoncon: Ja bandat e LSI
Ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar në Qendrën e Votimit pas Liceut Artistik. Në një prononcim pasi votoi, Berisha tha se këto zgjedhje janë të plagosura. “Janë zgjedhjet e para, të cilat zhvillohen në shenjën e mafies dhe të krimit nga ana e maxhorancës. Sigurisht edhe më parë elementë të tillë ka patur, por jo me vetëdije. Qytetarët në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, vrasjen, pengmarrjen, prostitucionin. Ka pasur hile të paimagjinueshme. Pritshmëritë, unë e kam besimin tek qytetarët. Këto zgjedhje janë të plagosura sepse kur kujton qëndrimin e kreut të Elbasanit ndaj gazetarëve ndihem jashtëzakonisht i lënduar, dy herë i lënduar sepse Don Qazimin e mori në mbrojtje Don Edvini. Presioni i tmerrshëm mbi gazetarët. Në vend që të dorëhiqej menjëherë gjen avokat don Edvinin dhe vazhdon i qetë kandidimin edhe sot”, tha Berisha. Më vonë Berisha bëri një denoncim me foto në FB. “Dy makina te bandave te LSI para qendres se votimit 262 ne Shkoder. Makinat e “aleances se krimit” gjenden para cdo qendre votimi ne bashkine e Shkodres,” shkroi Berisha në FB.