Berisha zbardh takimin me ish-anëtarin e Këshillit Bashkiak të New York-ut
Zbardhet takimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha me Mark Gjonaj, ish-anëtarin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Nju Jorkut dhe Asamblesë së Shtetit në SHBA. Berisha theksoi se me Gjonajn shkëmbyen ide mbi angazhimin e Partisë Demokratike në mbështetje të mundësimit të votës për diasporën shqiptare në botë.
Njoftimi i plotë
Takim me Z. Mark Gjonaj, Ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Nju Jorkut dhe Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut.
Me Z. Gjonaj shkëmbyem gjerësisht mbi angazhimin e Partisë Demokratike në mbështetje të mundësimit të votës për diasporën shqiptare në botë, duke i siguruar se në këtë drejtim, PD do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm politik dhe ligjor që shqiptarët të votojnë si qytetarë shqiptarë të barabartë kudo që ata banojnë.
Të shqetësuar nga niveli tragjik i shpopullimit të Shqipërisë, largimin në 7 vite, sipas EUROSTAT, të 744 mijë shqiptarëve vetëm në hapësirën e BE-së, i theksova se dhunimi i votës së lirë është shkaku më themelor i situatës tragjike që po kalon vendi. Duke e falënderuar Z.Gjonaj për vizitën e tij, gjeta rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë atij dhe të gjithë diasporës sonë për kontributin e vyer ndër vite.
Diaspora shqiptare në SHBA e ka çuar çështjen tonë kombëtare në nivelet më të larta të administratës amerikane. Diaspora është tanimë një realitet global, një forcë drejtuese ndryshimi dhe një aset i paçmueshëm ndaj të cilës, shteti shqiptar ka detyrime të pamohueshme.
Zoti Gjonaj foli gjerësisht për rolin dhe potencialin e madh që ka diaspora, Këshilli Koordinues i Diasporës Shqiptare dhe vendosmërinë e tyre për të kontribuar në mënyrë të gjithanshme për kombin tonë.Ai shprehu bindjen tek vlera e votës së diasporës, themel për ndryshimin, zhvillimin, demokracinë; domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë kuadër, roli i diasporës do të jetë edhe më kyç kur ajo të marrë të drejta të plota për të votuar.
Për këtë qëllim, ne presim që e drejta jonë për të votuar si qytetarë të barabartë shqiptarë të bëhet realitet.