Berishës iu hoq imuniteti, Bardhi: Vendim antikushtetues, akt i mirëfilltë politik
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pasi Kuvendi me 75 vota pro, i hoqi imunitetin ish-kryeministrit Sali Berisha. Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson vendimin antikushtetues dhe një akt të mirëfilltë politik, të miratuar vetëm me votat e Edi Ramës.
Reagimi i Bardhit:
Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standarti më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike.
Cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por barazia duhet të ekzistojë edhe në të drejta. Një standart për bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe një tjetër standart tërësisht i ndryshëm për kundërshtarët e Edi Ramës, nuk është as barazi dhe as drejtësi.