Besnik Jakaj: Më 25 prill paska votuar vetëm Edi Rama

Kandidati i LSI në Tiranë, mjeku i njohur Besnik Jakaj shprehet se provat që kanë dalë nga shqyrtimi i dokumentacionit në Berat dhe në Gjirokastër po tregon se votat janë tjetërsuar ose shpallur të pavlefshme duke manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.
Në një postim në Facebook, Jakaj thotë se “të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi për masakrën e 25 Prillit, përndryshe heshtjen e sotme kemi për ta paguar shtrenjtë shumë nesër”.
Postimi i plotë i Besnik Jakajt në Facebook:
“25 Prilli është data e tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe e manipulimit më të turpshëm që u është bërë ndonjëhere zgjedhjeve në vendin tonë.
Nga provat e bëra publike ka rezultuar që në Berat 19 veta kanë votuar 53 herë në disa kuti, ndërsa në Gjirokastër 12 të tjerë kanë votuar 70 herë.
Bazuar në këto prova natyrshëm lind pyetja, se çfarë ndodhi më 25 Prill në vendin tonë?
Dhe përgjigja po ashtu është shumë e thjesht, një njeri i vetëm, Edi Rama i ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij të heshtur është i vetmi që ka votuar në vendin tonë.
Votat e shqiptarëve që e duan vendin e tyre dhe që duan ta shpëtojnë atë nga e keqja që e ka zaptuar është tjetërsuar ose djegur.
Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi për masakrën e 25 Prillit, përndryshe heshtjen e sotme kemi për ta paguar shtrenjtë shumë nesër”.

SHKARKO APP